Më 2 prill pritet të nisë zbatimi i sistemit “One Stop Shop” mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, një procedurë e përbashkët kufitare që synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave midis dy vendeve, informon POPULLI.mk
Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, i cili ka theksuar se përgatitjet janë në fazën e fundit. Fillimisht ishte planifikuar që ky sistem të fillonte nga 1 janari, por për arsye teknike u shty për 1 prill.
Aktualisht, po bëhen testime të pajisjeve dhe softuerëve të nevojshëm për funksionimin e sistemit të integruar kufitar. Gashi kishte deklaruar dy javë më parë se këto testime do të zhvillohen në ditët në vijim për të siguruar funksionimin e duhur të procesit.
Sistemi “One Stop Shop” do të mundësojë një kalim kufitar të ngjashëm me atë që Kosova tashmë e ka me Shqipërinë, duke reduktuar procedurat burokratike dhe kohën e pritjes për udhëtarët dhe transportin tregtar.
Edhe gjashtë ditë kanë mbetur deri në zbatimin e këtij mekanizmi, i cili pritet të sjellë përfitime të mëdha për bashkëpunimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë mes dy vendeve. Mbetet të shihet se a do ta mbajnë fjalën e dhënë të dyja vendet si RMV poashtu edhe Kosova.