Krimineli i luftës Ratko Mladiq pritet të varroset me nderime ushtarake. Kështu ka deklaruar ministri serb i Drejtësisë. Por Presidenti Vuçiq deri më tani nuk e ka konfirmuar një varrim shtetëror
Krimineli i luftës, boshnjako-serbi Ratko Mladiq që ndërroi jetë pritet të varroset në Serbi me nderime ushtarake dhe shtetërore. Ish-komandanti i Ushtrisë së Serbëve të Bosnjës do të marrë “të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore që i takojnë”, deklaroi ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujić, për radion K1. Mladiq vdiq të enjten në një spital në Hagë. Atje ai po vuante një dënim me burgim të përjetshëm, të shqiptuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnjë, në periudhën 1992-1995.
Ende nuk është e qartë se kur autoritetet holandeze do ta dorëzojnë trupin e tij. Përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të udhëtojnë drejt Hagës sapo të jenë përcaktuar hapat e ardhshëm, tha ministri i Drejtësisë, Nenad Vujić. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deri më tani nuk e ka konfirmuar një varrim shtetëror. Megjithatë, ai i ka premtuar familjarëve të Ratko Mladiqit mbështetjen e qeverisë serbe, nëse dëshira e tyre është që ai të varroset në Serbi.
Mladiqi vuante prej vitesh nga probleme të rënda shëndetësore dhe së fundmi kishte pësuar disa goditje në tru. Familja e tij dhe autoritetet serbe kishin kërkuar deri në fund transferimin e tij në një spital ushtarak në Beograd. Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunalet Penale (IRMCT), i cili merret me detyrat e mbetura të tribunaleve të OKB-së, e refuzoi këtë kërkesë. Për këtë arsye, djali i Mladiqit, Darko, disa ditë para vdekjes së të atit, foli për një “vrasje të heshtur”. Presidenti serb Vuçiq akuzoi të premten gjykatën e OKB-së për “sjellje të pacivilizuar”, pasi ajo nuk e lejoi Mladiqin të lirohej para kohe nga burgu.

