Me tone të ashpra dhe të ndjera, Agim Behluli ka reaguar publikisht kundër vendimit të fundit të Arben Taravarit dhe udhëheqësisë së Aleancës për Shqiptarët për t’u bashkuar me një subjekt tjetër politik. Në një status të gjatë dhe emocional, Behluli e cilëson këtë veprim si “përkulje” dhe “tradhëti ndaj kauzës shqiptare”.
“Ky veprim nuk është bashkëpunim politik. Ky është përkulje. Është një hap mbrapa për shqiptarët dhe një përbuzje për sakrificën e atyre që luftuan dhe punuan për një alternativë të ndershme,” shprehet ai në reagimin e tij.
Behluli ngre një sërë pyetjesh retorike mbi realitetin e shqiptarëve pas konfliktit të vitit 2001, duke vënë në pikëpyetje përmbushjen e premtimeve për drejtësi, demokraci dhe dinjitet. Ai akuzon klasën politike për mashtrim dhe papërgjegjësi, duke theksuar se nuk mund të falë “politikanin e paaftë shqiptar që e ka tradhtuar popullin”.
“Mos i harroni shqiptarët! Punoni me zemër, që t’ju duam! Mos na detyroni t’ju urrejmë!”, përfundon Behluli mesazhin e tij, duke bërë thirrje për kthim te vlerat dhe drejtësia.
Ky reagim vjen në një kohë kur skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut po kalon nëpër ndryshime të mëdha dhe të diskutueshme, veçanërisht përsa i përket aleancave dhe orientimeve të reja strategjik.
Ja postimi i plote:
“POLITIKA (2002- ?) dhe SHQIPTARI
Unë po e prisja ndryshimin…!
Me zemër të rënduar dhe ndërgjegje të pastër, ndihem i detyruar të reagoj publikisht ndaj vendimit të fundit të Arben Taravarit dhe drejtuesve të Aleancës për Shqiptarët për t’u bashkuar me një oponent tjetër politik – një subjekt që për më shumë se dy dekada ka përfaqësuar për shumë shqiptarë zhgënjim, padrejtësi dhe stagnim.
Ky veprim nuk është bashkëpunim politik. Ky është përkulje. Është një hap mbrapa për shqiptarët dhe një përbuzje për sakrificën e atyre që luftuan dhe punuan për një alternativë të ndershme.
A thua, a është nder i çështjes kombëtare kur një përfaqësues politik e mbron nga padrejtësia bashkëkombësin e vet? Apo ai vetëm kërkon të mbledhë vota dhe më pas, në emër të “unitetit”, të zgjidhë hallet e veta dhe të familjes së tij?
Çfarë mëkati! Ky quhet antikombëtar. Ky është tradhtar i besimit dhe i kauzës patriotike shqiptare!
Në vitet ’90, ishte krenari të uleshe pranë një përfaqësuesi politik, sepse ai e ndiente peshën e përgjegjësisë kombëtare.
Por ku jemi sot, që nga 2001-shi?
Mos vallë kauza kombëtare ka përfunduar…?!
Mos vallë dhimbja shqiptare ka mbaruar…?!
Mos vallë të burgosurit e pafajshëm janë liruar…?!
Mos vallë të vrarët janë zgjuar nga varret…?!
Mos vallë veteranët janë sistemuar e nderuar…?!
Mos vallë viktimat janë respektuar…?!
Mos vallë të vërtetat tona janë pranuar…?!
Unë nuk kam faj që kam lindur shqiptar – por refuzoj të jetoj i nëpërkëmbur në emër të një shteti që më mashtron!
Ju më keni mashtruar kur më premtuat se do të kishte drejtësi, demokraci dhe respekt për shqiptarët!
Ju lejuat që jeta ime të përbuzet!
Që familja ime të shkatërrohet!
Që unë të quhem “rrezik”!
Që unë të jetoj nën frikë dhe pa të ardhme!
Kush do t’i kompensojë këto humbje? Kush do t’i rikthejë vitet e humbura? Apo thjesht do të thoni: “Nuk je as i pari, as i fundit!”
Unë fal shumëçka – por jo politikanin e paaftë shqiptar që më tradhtoi mua dhe kombin tim! Ai ka borxh shpirtëror ndaj secilit shqiptar të ndershëm! Ai ka shkelur mbi dinjitetin e një populli të tërë!
Unë nuk jam i vetëm. Ka edhe të tjerë – të gjallë dhe të vdekur – që ndjejnë të njëjtën dhimbje!
Unë do të doja të jem pjesë e një subjekti politik ku fjala ka peshë, ku drejtësia nuk negociohet dhe ku kauza kombëtare nuk blihet me poste!
Ku dëgjohet zëri i nënës që ka humbur djalin, zëri i një të burgosuri të pafajshëm, zëri i një dëshmori që ende nuk ka drejtësi!
Mos i harroni shqiptarët!
Punoni me zemër, që t’ju duam!
Mos na detyroni t’ju urrejmë!”