Agim Bislimi është emëruar drejtor i ri i Institucionit Nacional “Muzeu i Kumanovës”, duke u bërë shqiptari i parë që merr drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore dhe historike në qytet, përcjell Fol
Bislimi është magjistër i ndërtimtarisë dhe ka diplomuar në Fakultetin Arkitekturor-Ndërtimor në Prishtinë. Që nga viti 2009 është pjesë e stafit të IN “Muzeu i Kumanovës”, ku ka ushtruar detyrën e dokumentuesit. Më herët ka punuar edhe në Qeveri dhe në Ministrinë e Kulturës.
Nga Muzeu i Kumanovës bëjnë të ditur se, falë përvojës së tij të gjatë dhe njohjes së mirë të funksionimit të institucionit, fokusi i drejtorit të ri do të jetë modernizimi i veprimtarisë muzeale, përmirësimi i kushteve të punës, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, si dhe realizimi i projekteve që do ta afrojnë muzeun me qytetarët, të rinjtë dhe vizitorët.
“IN ‘Muzeu i Kumanovës’ do të vazhdojë të zhvillohet si një institucion bashkëkohor kulturor dhe një ruajtës i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore-historike të rajonit”, thuhet në njoftimin e institucionit.
Agim Bislimi e merr këtë detyrë nga drejtoresha e deritanishme, Marija Zhivaçki. /Fol.mk

