Zv/kryetari i Tetovës dhe përfaqësuesi i VLEN-it Albi Qamili përgëzoi studentët për vetëdijen e lartë qytetare dhe mos lejimin e politizimit të protestës së tyre nga opozita. Gjatë debatit Click Plus në TV21, Qamili tha se në mungesë kredibiliteti për të organizuar protesta, BDI-ja u përpoq t’i keqpërdorë studentët, por dështoi.
“BDI tentoi t’i instrumentalizojë studentët. Në mungesë kredibiliteti që të organizojë vetë protesta, sepse ata vetë nuk e zgjidhën këtë çështje, tentuan të dalin në ballë të protestave studentore. Por studentët ua treguan vendin. Unë pres kur BDI-ja do të protestojë para selisë së vetë në Reçicë”, tha Qamili.
Ai tha se në mesin e studentëve me të drejtë kishte përfaqësues nga të gjitha partitë politike, por eksponentët e ish-pushtetit si Musa Xhaferi dhe të tjerët, u përpoqën ta keqpërdorin kauzën e studentëve.
I pyetur se pse nuk kishte funskionarë të VLEN-it në protestë, Qamili tha se VLEN nuk e ndjek shembullin hipokrit të BDI-së që të protestojë kundër vetes.
“Ju kujtohet rasti kur BDI-ja dilte në protesta për rastin e Almirit duke qenë në pushtet, ndërsa vrasësi i Almirit u la i lirë”, kujtoi Qamili.

