Albrim Hoxha, anëtar i kryesisë së ASH-së nga Struga ka dal kundër vendimit të fundit të partisë, ku bën pjesë, për tu larguar nga Qeveria.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e Albrim Hoxhës.
Shumë miq më kanë kontaktuar këtyre ditëve për të kuptuar tërthorazi apo për të më pyetur direkt se ç’anë po mbaj në këtë mjegull të krijuar politike. Iu them të gjithëve pa doreza: jam aty ku kam qenë gjithmonë, nuk kam ndryshuar!
Qëndrimin tim rreth situatës së fundit politike e kam thënë në organet partiake, në Kryesinë Qendrore dhe Kuvendin Qendror të Aleancës për Shqiptarët. Kam qenë dhe jam kundër çdo zgjidhjeje me BDI-në brenda saj.
Kam qenë kundër çdo tendence për të zbutur tonin ndaj BDI-së, me arsyetimet qesharake e absurde, se kjo parti na qenka reformuar. A thua se BDI paskësh qenë vetëm Artan Grubi e Ramiz Merko – listëzinjtë e SHBA-së!?
Megjithatë, Ramiz Merko është aty, në BDI. E pret dhe përcjell Ali Ahmetin sa herë vjen në Strugë. Në asnjë moment nuk kanë hequr dorë nga njëri – tjetri.
Po grupi parlamentar i BDI-së, si duket sot? A është Musa Xhaferi aty? Po Blerim Bexheti? Edhe Sadullain aty e keni!
Nuk më bind kush të ndryshoj mendimin se reformimi i BDI-së duhet pashmangshmërisht të fillojë prej kreut të partisë!
Kam qenë dhe jam “ushtar” i VLEN-it dhe i Aleancës, i përkushtuar me gjithë qenien time në atë çka ato përfaqësonin. Dhe po, e besoj ende atē frymë, me gjithë të metat që mund të ketë!
Një mik më dërgoi një video nga fjala ime në Kuvendin e fundit të ASH-së, mbajtur në Gostivar më 6 Prill 2025. Ca sekuenca të saj po i ndaj publikisht.