Ambasadori aktual i Maqedonisë së Veriut në Norvegji dhe Islandë, i cili është edhe ish-ministër i Ekonomisë, Driton Kuçi, është kthyer në Maqedoni. Prokuroria ka theksuar se për të kërkohen masa për sigurimin e pranisë së tij gjatë zhvillimit të procedurës. Ai është i dyshuari i 19-të në hetimin e zgjeruar.
Prokuroria Themelore Publike në Koçan sot ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Koçan një propozim për caktimin e masave të kujdesit ndaj të dyshuarit të fundit, të 19-të, për të cilin është zgjeruar hetimi lidhur me zjarrin në disko-klubin “Pulse” në Koçan.
Më herët, ish-ministrat e Ekonomisë, Valon Saraçini dhe Bekim Neziri, janë vendosur në arrest shtëpiak, ndërsa ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ministri aktual pa portofol, Shaban Saliu, është vendosur në paraburgim efektiv. Këto janë vetëm disa nga masat e shqiptuara për të dyshuarit e rinj në rastin e zjarrit në diskotekën në Koçan, pas zgjerimit të hetimit.
Përveç Saliut, edhe tre persona të tjerë janë dërguar në paraburgim, por Prokuroria nuk zbulon se çfarë funksione kanë pasur. Së bashku me Saraçinin dhe Nezirin, janë caktuar masa arresti edhe për katër persona të tjerë. Tetë të dyshuarit e tjerë janë nën masa të kujdesit.
Në total, hetimi përfshin 47 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Hetime po zhvillohen edhe ndaj shtatë zyrtarëve policorë. Po ndërmerren veprime hetimore, theksoi Kocevski.
Masat e kujdesit po merren për shkak të rrezikut të arratisjes.