Një nga gjërat që e shënoi 8 majin është se për herë të parë u votua në zgjedhje të dyfishta, në të identifikimi i qytetarëve u bë me ndihmën e shenjave të gishtërinjve. Kjo, nga ana tjetër, imponoi nevojën për ndryshime në sistemin i cili për herë të parë u prezantua për zgjedhjet lokale në vitin 2021, shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
Gjatë prokurimit të tij nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tre vite më parë nga kompania gjermane “Dermalog” për 11.2 milionë euro, ai u dorëzua pa mundësi që votuesi të regjistrohet veçmas për zgjedhje të ndryshme, nëse në të njëjtën ditë votohet në dy procese.
Por problemi u tejkalua. KSHZ-ja pagoi 450.000 euro përmes një kontrate direkte dhe kompania gjermane instaloi një softuer të përmirësuar. Por një letër anonime e dërguar në redaksinë tonë na shtyu që ta shohim nga afër të gjithë procedurën.
Një herë thuhet hopa, pastaj kërcehet
Nga kronologjia e ngjarjeve shihet se marrëveshja politike për zgjedhje të dyfishta është arritur më 4 dhjetor të vitit 2023. Por prokurimi i përmirësimit të nevojshëm nuk ishte përfshirë as në planin fillestar dhe as në planin vjetor të ndryshuar të prokurimit publik të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për vitin 2024. Më pas, në një paraqitje në TV Sitel më 16 shkurt, kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, deklaron se kompania “Dermalog” tashmë është duke punuar për zgjidhjen e problemit.
“Bëhet fjalë për ndryshime, apo jo, një përmirësim të sistemit, pra softuerit. Dhe për këtë arsye nevojitet kohë. Nuk mund të bëhet menjëherë, mendoj se edhe atëherë kam përmendur që partnerët na kanë thënë se do të duhen 60 ditë, pra dy muaj… kështu që, nga ajo kohë nuk ka kaluar as një muaj. Dhe ata po punojnë për një zgjidhje. Kur të jetë gati, do vijnë të na e prezantojnë dhe me kaq do të marrë fund, unë atëkohë thashë se – ka zgjidhje dhe se zgjidhja është e thjeshtë. Kështu që nuk do të jetë problem. Kjo është diçka shumë e rëndësishme për anëtarët e këshillave zgjedhorë dhe komisioneve komunale zgjedhore të cilët do të kenë trajnime se si ta zbatojnë atë, por procedura është e lehtë“, deklaroi kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, gjatë pjesëmarrjes së tij në TV Sitel më 16 shkurt të vitit 2024.
Problemi është te kronologjia. Gjegjësisht, Dashtevski thotë se për këtë zgjidhje është punuar që më 16 shkurt, ndërsa kontrata për punët është nënshkruar pothuajse një muaj më vonë – më 12 mars të vitit 2024.
Si ka punuar kompania “Demalog” për një zgjidhje, nëse nuk ka pasur marrëveshje paraprake – si për punën që është dashur të bëhet ashtu edhe për çmimin?
Konsultime dhe prokurim urgjent
Për këto dilema fillimisht iu drejtuam Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Në pyetjen – si kanë punuar për zgjidhje pa lidhur paraprakisht një kontratë, ne morëm këtë përgjigje, në të cilën thuhet se janë konsultuar ekspertë, por nuk përmendet kompania “Dermalog”.
“KSHZ-ja me përgjegjësi që para shpalljes formale të zgjedhjeve filloi të ndërmarrë një aktivitet për konsultime profesionale me inxhinierë dhe profesorë të TI-së me qëllim të marrjes së mendimeve për mënyrën dhe mundësitë për përshtatjen dhe funksionimin e sistemit biometrik dhe përshtatjen e tij në përputhje me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të ndryshme në të njëjtën ditë. Qëllimi ishte që të plotësoheshin të gjitha kushtet dhe procedurat ligjore për zbatimin sa më të thjeshtë të votimit dhe të mundësohej dhe garantohej transparenca e të dhënave si dhe garantimi i së drejtës dhe mundësisë së qytetarëve për të votuar lirshëm në zgjedhje sipas vullnetit të tyre. Pas kryerjes së përgatitjeve profesionale, KSHZ-ja kishte obligim ligjor që të fillojë procedurë për të mundësuar shfrytëzimin e ligjshëm dhe të qëllimshëm të sistemit, ndërsa kjo u bë në mënyrë transparente pas shpalljes së zgjedhjeve në përputhje me të gjitha procedurat ligjore para institucioneve kompetente “, u përgjigjën nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Edhe pse, siç thonë nga KSHZ-ja, me përgatitjet kanë filluar para kohe, në pyetjen se pse prokurimi nuk është pjesë e planit vjetor për prokurime publike, nga atje u përgjigjën se në fund procedura është kryer si urgjente. Në një rast të tillë, plani për prokurimet publike nuk ka nevojë të ndryshohet.
“Procedura është zhvilluar në kushte urgjente dhe në pajtim me nenin 6 paragrafi (2) të Rregullores për formën, përmbajtjen dhe mënyrën e përgatitjes së planit vjetor për prokurime publike nuk duhet të përfshihet në planin vjetor për prokurime publike, e aq më tepër që fillimi i procedurës është filluar pas miratimit të Planit Vjetor për Prokurime Publike sipas Programit 21 me zbatimin e tij urgjent“, njoftuan nga KSHZ-ja.
Nga KSHZ-ja thonë se krahas kësaj ata kanë siguruar transparencë me atë që vendimin për përzgjedhjen e kanë shpallur në rubrikën e ueb-faqes të Byrosë së Prokurimeve Publike të titulluar “Njoftim për transparencë vullnetare”, kështu që palët e treta të interesuara kanë mundur të ankohen.
Adresa e radhës ku u drejtuam ishte Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ata u përgjigjën se tashmë e kanë një lëndë për këtë rast.
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur lëndë në bazë të denoncimit për prokurim publik në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe lidhjes së marrëveshjes me kompaninë ‘Dermalog’. Procedurat për këtë çështje janë në vijim e sipër“, u përgjigjën nga KSHPK-ja.
Bateri të stërpaguara?
Një koment më të detajuar kërkuam edhe nga ekspertët kundër korrupsionit për mënyrën se si është përmirësuar sistemi i KSHZ-së. Në Transparency International biseduam me presidentin Bllagoja Pandovski. Ai mendon se është e logjikshme që fillimisht të lidhet një kontratë dhe më pas të kryhet shërbimi ose të dorëzohet malli.
“Sigurisht që përpara finalizimit të këtij bashkëpunimi, i cili duhet të pasojë pas një dokumenti zyrtar, një marrëveshje për realizimin e këtyre shërbimeve, është e vërtetë që lind një dyshim, sepse në një farë mënyre lind dyshimi për prejudikimin e zgjedhjes së këtij organi, pra para nënshkrimit zyrtar të kontratës“, deklaroi Bllagoja Pandovski, kryetar i Transparency International.
Por, Pandovski e ka shqyrtuar marrëveshjen edhe nga aspekti përmbajtësor, jo vetëm nga aspekti formal. Një nga zërat është blerja e 500 baterive për pajisjet për identifikim biometrik. Ai ka hulumtuar dhe ka arritur të gjejë specifikime për atë se çfarë lloj baterie përdor pajisja SVT5008.
“Tani po të gërmohet pak, pra të analizohet se me çfarë merret kompania “Dermalog”, do shihet se ajo nuk i prodhon këto bateri. Pra, ka shumë mundësi që bateritë janë produkt i ndonjë kompanie tjetër. Kështu që lind pyetja, pse këto bateri janë blerë nga “Dermalog”, pra janë pjesë e këtij prokurimi? Përndryshe, mendoj se bëhet fjalë për 2 milionë, 2 milionë e 500 mijë denarë të cilat nëse ndahen me një pajisje, nga këto 500 pajisje që janë blerë, del se vlera e një pajisjeje është rreth 79 euro. Nëse kërkon në Google në internet dhe kërkohet në ato faqet zyrtare, Amazon e kështu me radhë, se sa kushton një bateri si kjo, mund të gjesh me një çmim prej 5 euro e më shumë, e deri më 15-20. Megjithatë, ky çmim që është paguar është mjaft i lartë. Tani unë nuk them se këtu ka disa mangësi, për këtë duhet të kujdesen autoritetet zyrtare“, thotë Pandovski.
Bateritë nuk janë shpenzimet e vetme për të cilat është e vështirë të vlerësohet se sa të arsyeshme janë. Për shembull, zëri 1, i cili është titulluar “Përshtatja e sistemit të integruar të implementuar për identifikim biometrik me përmirësimin e tij”, nga çka mund të supozohet vetëm se është vetë zgjidhja softuerike, kushton 8.888.999 denarë ose rreth 145.000 euro.
Çmimi për instalimin e softuerit në pajisjet për identifikim biometrik që janë në qendrat e votimit është rreth 60 euro për pajisje, ose gjithsej 240 mijë euro. Ne e pyetëm KSHZ-në se sa kohë është dashur për ta përmirësuar softuerin e një pajisjeje, por nuk morëm një përgjigje të prerë.
“Përgatitja e pajisjeve biometrike të identifikimit për përdorim në ditën e zgjedhjeve është një proces me një numër të madh të aktiviteteve të njëpasnjëshme të zbatimit dhe kontrollit ku përfshihen disa persona nga KSHZ-ja, sipas një plani zbatimi të përgatitur paraprakisht. Procesi i plotë i përgatitjes së pajisjeve PIBQ përfundon në maksimum 10 ditë për të gjitha pajisjet“, u përgjigjën nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Ose, nuk u tha asnjë fjalë për atë se sa kohë shpenzuan ekspertët e Dermalog për një pajisje. Nga ana tjetër, në pyetjen nëse për aktivitetet janë angazhuar nënkontraktorë, nga KSHZ-ja u përgjigjën se “Dermalog” nuk i ka njoftuar se do të angazhojë kompani të tjera.
Prokuroria nuk gjeti asnjë krim në tenderin e parë
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet shtetërore merren me prokurimet e KSHZ-së nga “Dermalog”. Përbërja e mëparshme e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nisi procedurën pas tenderit të parë për blerjen e aparateve për shenjat e gishtërinjve nga viti 2021 me vlerë prej 11.2 milionë euro. Procesi përfundoi me një iniciativë për ndjekje penale dhe një raport në të cilin ndër të tjera konstatohej se:
Nuk është bërë testim i vërtetë për pranim dhe pranim kualitativ dhe kuantitativ, pa të cilin nuk do të duhej të paguhet shuma e blerjes prej rreth 11 milionë euro;
Një nga kompanitë nënkontraktore ka filluar të kërkojë kontakte për prokurimin e pajisjeve për shenjat e gishtërinjve ende pa u shpallur tenderi i parë për një gjë të tillë;
Nënkontraktorët lokalë kanë transaksione të dyshimta me persona juridikë dhe fizikë pas përfundimit të tenderit, dhe të tjera.
Edhe “360 gradë” hulumtoi në këtë temë. Ne zbuluam se nënkontraktorët lokal kanë realizuar rezultate të pabesueshme financiare në vitin e prokurimit. Për shembull, fitimet e kompanisë “Simboliko” në vitin 2021 u rritën nga 20.000 në 380.000 euro, që pastaj vitin që vjen, pra një vit pas tenderit të kthehen “si më parë” në 18.000 euro.
Nënkontraktori i dytë, “Alfazet-M” nga Sedllarca e Epërme, në vitin kur e morën dhe e realizuan tenderin, ka pasur të hyra prej 1.3 milionë euro, nga të cilat në fund të vitit si fitim i kanë mbetur pothuajse 1 milion euro (960.000 euro)! Pastaj, vetëm një vit më vonë të hyrat e përgjithshme të kësaj kompanie bien në vetëm 56.000 euro.
Për fatin e kësaj lënde në prokurori, pas gjithë këtyre konstatimeve, nuk kishim informacion deri dje kur Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit na njoftoi se lënda ishte mbyllur.
“Më datë 21.02.2024 është dorëzuar informacion se në kuadër të lëndës janë kryer veprimet para hetimore dhe ka rezultuar se për të njëjtën ngjarje penalo-juridike tashmë është hapur një lëndë tjetër, për këtë arsye të dyja rastet janë bashkuar dhe se më 14.02.2024 është miratuar aktvendimi se nuk ka vend për intervenim të prokurorisë publike“, na u përgjigjën nga KSHPK-ja.
Pastaj konfirmim morëm edhe nga prokuroria. Ata e kanë mbledhur të gjithë dokumentacionin, kanë punuar me Drejtorinë e Policisë Financiare dhe Drejtorinë e Inteligjencës Financiare.
“Pas analizimit të dokumentacionit të përgjithshëm të mbledhur rezulton se KSHZ-ja ka realizuar procedurë për prokurimin publik të Sistemit të integruar për identifikimin biometrik të votuesve në pajtim me Ligjin për Prokurime Publike dhe pas lidhjes së kontratës ndërmjet palëve kontraktuese ajo është zbatuar në tërësi, kështu që asnjërës nga palët kontraktuese nuk i është shkaktuar dëm, e as nuk është realizuar ndonjë përfitim “, njoftuan nga Prokuroria Publike.
Ftesës tonë për deklaratë iu përgjigj ish-kryetarja e KSHPK-së, nën udhëheqjen e të cilës përfundoi lënda për “Dermalog”. Ajo nuk e fshehu zhgënjimin e saj.
“Me vjen vërtetë keq. Deri tani, nga gjithë puna jonë, e vetmja gjë që u tregua si lëndë më e fortë është ajo për vauçerët sportivë. Nga kaq shumë iniciativa është për të ardhur keq që po ndodh kjo. Çfarë të them, secili ka përgjegjësinë e vet, kjo është përgjegjësi e prokurorisë“, thotë Biljana Ivanovska, ish-kryetare e KSHPK-së.
Në lidhje me deklaratat e kryetarit të KSHZ-së se kanë qenë duke punuar për zgjidhje para se të lidhej kontrata për prokurim publik, ajo mendon se ato duhet të kontrollohen.
“Deklarata të cilën e jep kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është deklaratë verbale, e cila në këtë rast duhet të vërtetohet me dokumentacion mbështetës. Nëse ai mendon se do të përgatitet apo po përgatitet, nëse e ka gabuar foljen, kohën e kështu me radhë, kjo nuk është një bazë për akuzë, por fillimisht është një sinjal dhe lë vend për dyshime, që e përsëris, do të duhet të mbështetet me dokumentacionin e duhur. A ka urdhra dhe dokumente të tjera pune që do të tregojnë nëse është punuar para lidhjes së kontratës“, thotë Ivanovska.
Dhe tani dhe për prokurimin nga “Dermalog” nga viti 2021, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe kryetari Aleksandar Dashtevski mbrojnë qëndrimin se gjithçka është bërë në përputhje me ligjin.
Përbërja e mëparshme e KSHPK-së shpjegoi publikisht pse mendon se nuk pajtohet me këtë, ndërsa përbërja aktuale ende nuk është deklaruar për prokurimin e ri.