Është përfolur këto ditë në disa prej mediave vendore, se këngëtarë të shumtë shqiptarë si: Sinan Vllasaliu, Soni Malaj, Don Phenom dhe Eugena Aliu, u arrestuan në një diskotekë në Zvicër – për arsye të shfrytëzimit të vizave turistike për të kryer punë.
Ngjarja thuhet se ndodhi në një mbrëmje të planifikuar të mbahej në një diskotekë shqiptare në Cyrih, më 13 prill – e organizuar në kuadër të festës së Fitër Bajramit.
Këngëtari Labinto Rexha, i cili e konfirmoi ngjarjen për Insajderin, reagoi përmes një shkrimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, duke shkruar: “Të dashur miq, dhe ju të gjithë dashamirë të muzikës time. Në dy ditët e fundit kam marr shumë telefonata nga mediat Kosovare për të folur rreth mbrëmjes së fundit në Bolero dhe për hir të opionit publik dua te dal me një sqarim për të gjithë. Si çdo ku në botë në secilën diskoteke dhe lokal që ndodhin kontrollimet rutine nga shteti, edhe në mbrëmjen e përfolur ka ndodhur njëjtë, pas asaj kontrolle çdo gjë ka shkuar në rregull”.
Lidhur me ngjarjen në fjalë, Telegrafi ka kontaktuar Policinë kantonale të Cyrihut në Zvicër, për të marrë më shumë informata dhe për të pyetur mbi vërtetësinë e ngjarjes.
Ata në një përgjigje të shkurtër kanë konfirmuar se në datat e përfolura ka pasur bastisje në disa klube të natës në Cyrih, por që nuk kanë zbuluar specifikisht emra.
“Faleminderit për interesimin tuaj tuaj. Policia kantonale e Cyrihut ka kryer kontrolle në disa klube nate, bare, dhe klube të vallëzimit. Për arsye të sekretit zyrtar, ne nuk lejohemi të japim asnjë informacion personal mbi identitetin e personave të arrestuar”, kanë thënë Policia kantonale e Cyrihut në një përgjigje për Telegrafin.
Por ata kanë dhënë detaje mbi bastisjet në fjalë, të cilat korrespodojnë me datën e mbrëmjes kur flitet se ka ndodhur ngjarja me artistët shqiptarë (13 prill), si dhe për arsyet që mund të kenë çuar në arrestim – pasi ata i referohen se kanë dërguar në mbajtje “të huajt” apo vizitorët e jashtëm që kanë thyer rregullat e vizës turistike.
“Më 16 prill 2024, Policia Zivcerane e Kantonit të Cyrihut kontrolloi klubet dhe bare të ndryshme gjatë dy fundjavave (5-6 prill 2024 dhe 12-14 prill 2024), përfshirë personelin dhe mysafirët e tyre. Gjatë pesë netëve, policia arrestoi 47 persona. Kontrollet u kryen në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, Zyrën e Ekonomisë, Zyrën e Migracionit, Autoritetin e Lojërave të Fatit ndër-kantonal, Instituti Forensik të Cyrihut si dhe njesitet e ndryshme policore komunale në rrethinat e Bülach, Dietikon, Hinwil, Uster dhe Winterthur. Në 13 bare, klube dhe klube të vallëzimit, policët kontrolluan menaxherët e bizneseve, stafin dhe mysafirët; në total, disa qindra persona”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë kantonale të Cyrihut.
“Policia arrestoi 47 persona, kryesisht për shkelje të Ligjit të Huajve dhe Integrimit (AIG). U shkruan më shumë se 70 ankesa për prokurorët e shtetit ose autoritetet e gjobave për shkelje. Persona të akuzuar u raportuan për shkelje të ndryshme të ligjeve, përfshirë Ligjin e Lojërave të Fatit (BGS), Ligjin Federal kundër Punës në të zezë (BGSA), Ligjin Federal për Mbrojtje nga Duhani (proteksioni nga tymi pasiv), Ligjin e Ushqimit (LMG), Ligjin e Mbrojtjes së Markave (MSchG), Ligjin Federal për Mbrojtje nga Rrezatimi Jo-ionizues dhe Zhurma (NISSG), Ligjin e Kantonal të Hostelerisë (GGG) dhe Ligjin e Policisë Kantonale (PolG). Disa persona u dërguan përpara Prokurorisë së Shtetit”, thuhet më tej në deklaratën e policisë.
Teksa mbetet enigmë nëse në mesin e këtyre personave ishin këngëtarët e lartpërmendur shqiptarë, vet ata nuk kanë reaguar mbi këto raportime të bëra në disa media.