Është caktuar Paneli i Apelit që do të shqyrtojë ankesën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Siç mëson VOX Kosova, paneli do të përbëhet nga Michele Picard nga Franca, që do të jetë Kryesuese, Gjyqtari Kai Ambos, anëtar, nga Gjermania si dhe Nina Jorgensen nga Norvegjia.
Biografia e gjyqtarëve sipas Dhomave të Specializuara:
Michele Picard:
Gjykatësja Michele Picard është gjykatëse e Gjykatës së Apelit në Paris që prej qershorit 2013. Nga 2008 deri më 2013, ajo ishte gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Nga 2007 deri më 2008, u emërua anëtare e Panelit Këshillues për Të drejtat e Njeriut në Kosovë dhe gjatë periudhës 1996-2003 ajo kryesoi Dhomën për Të drejtat e Njeriut në Bosnjë-Hercegovinë. Më 2005, ajo u emërua eksperte e pavarur për Gjendjen e Të drejtave të Njeriut në Uzbekistan. Ajo gjithashtu punoi për Këshillin e Evropës si eksperte për projekte të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian për të drejtat e njeriut në Maqedoni, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë. Gjykatësja Picard është e diplomuar si juriste nga Universiteti i Parisit. Më 1992, ajo kreu shkollën për gjykatës në Bordo (Bordeaux).
Kai Ambos:
Gjykatësi Kai Ambos ka qenë kreu i katedrës për të drejtën penale ndërkombëtare dhe profesor i të drejtës penale, procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Gëtingenit (Göttingen) në Gjermani që nga maji 2003. Më 2013, ai u emërua drejtor i Qendrës Studimore për Të drejtën dhe Procedurën Penale të Amerikës Latine (CEDPAL) në Universitetin e Gëtingenit. Gjithashtu ai ka punuar si avokat i mbrojtjes dhe konsulent në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Që nga marsi 2006, gjykatësi Ambos ka punuar si gjykatës i përkohshëm në Gjykatën Provinciale të Saksonisë së Poshtme në Gëtingen prej së cilës u delegua në Gjykatën e Apelit të Braunshvajgut (Braunschëeig) për vitin 2015. Gjykatësi Ambos ka kryer studimet për jurisprudencë dhe shkenca politike në universitetin e Frajburgut në Brajzgau (Freiburg im Breisgau) në Gjermani, dhe në atë të Oksfordit (Britani e Madhe), e Mynihut (Gjermani). Më 1990 kaloi provimin e parë shtetëror dhe më 1994 provimin e dytë shtetëror që i mundësoi ushtrimin e profesionit të avokatit. Më 1992, gjykatësi Ambos u doktorua dhe më 2001 fitoi aftësimin profesional si ligjërues universitar (të dyja nga Universiteti i Mynihut). Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare.
Nina Jorgensen:
Gjykatësja Nina H. B. Jorgensen është profesore e të drejtës publike ndërkombëtare në Universitetin e Southamptonit që nga viti 2019 dhe ishte zëvendësdekane e Fakultetit Juridik (hulumtim) nga viti 2019 deri më 2021. Para kësaj ajo ka qenë profesore e të drejtës (2014-2018) dhe ndihmësprofesore e të drejtës (2010-2014) në Universitetin Kinez të Hong Kongut. Nga viti 2001 deri 2010, ajo ka punuar në detyra të ndryshme në Gjykatën Speciale për Sierra Leonen, ndër të cilat edhe si juriste e lartë për apelet dhe këshilltare e lartë juridike për Zyrën e Prokurorit, si dhe në Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatën e Kamboxhias, dhe në Tribunalët Penalë Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën. Ajo gjithashtu ka punuar për Zyrën e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut në Varshavë si këshilltare juridike për Tolerancë dhe Mosdiskriminim. Ajo gjithashtu ka këshilluar OKB-në dhe organizatat joqeveritare për çështje të lidhura me të drejtën penale ndërkombëtare. Gjykatëse Jorgensen ka gradën doktor i shkencave prej Universitetit të Oksfordit dhe është diplomuar në Universitetin e Bristolit (MB). Ajo është pranuar në Shoqatën e Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (Gray’s Inn) në vitin 1999 dhe e ka licencën si avokat. Ajo ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare dhe të drejtës procedurale procedurave.

