Shumë fëmijë, veçanërisht ata me forma më të vështira të zhvillimit, nuk ishin në gjendje të vazhdonin arsimin e mesëm në vitet e kaluara, sepse ligji nuk parashikonte asistentë arsimorë në shkollat e mesme, ndryshe nga shkollat fillore, ku ata tashmë janë pjesë e procesit arsimor të përditshëm. Raste të ngjashme ka edhe në Strugë.

Me ndryshimet në Ligjin për arsimin e mesëm, do të ketë edhe asistentë arsimor në shkollat e mesme, por disa nga profesionistët nuk pajtohen me arsimin e plotë gjithëpërfshirës. Maqedonia është ndër vendet e pakta në botë ku të gjithë fëmijët, pavarësisht nga vështirësitë, shkojnë në arsim të rregullt. Ata thonë se duhet të ketë një model të kombinuar të arsimit gjithëpërfshirës.

“Për ne ekspertët është totalisht e papranueshme, sepse jo të gjithë mund të ndjekin arsimin e rregullt fillor dhe të mesëm. Mund të shkojnë rastet e lehta, mund të futen më lehtë dhe kudo që kanë nevojë për ndihmë, por ata me aftësi të kufizuara mesatare dhe të rënda, me probleme të rënda nuk munden, duhet të na dëgjojnë. Shprehim mendimin tonë dhe jemi kundër një vendimi të tillë fatkeq”, tha Goran Ajdinski – defektolog.

Shumica e shkollave nuk janë gati për një proces të tillë. Duhet të ketë pedagog, psikolog dhe një mësues special, por shumë prej tyre nuk e kanë këtë staf profesional.

“Pra, para së gjithash, a keni të trajnuar profesorë profesionistë dhe kompetentë, ekipe profesionale për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. A janë shkollat tona të përgatitura logjistikisht, materialisht-teknikisht për të pritur nxënës të tillë, jo për këtë lloj përfshirjeje. Këtë e them nga pikëpamja pedagogjike”, u shpreh Elizabeta Tomevska Ilievska – profesoreshë e shkencave pedagogjike.

“Përpara nesh janë shumë sfida me të cilat do të duhet të merren ata që do të përfshihen drejtpërdrejt në këtë proces arsimor. Para së gjithash, këta janë mësuesit dhe shërbimet profesionale. Edhe shkollat duhet të pajisen si në infrastrukturë, ashtu edhe në kuadër, të kemi shkolla që të kenë jo vetëm psikolog, apo pedagog e psikolog, e të mos ketë defektolog”, theksoi Ana Frichand – Profesoreshë e shkencave psikologjike.

Për shkak të kësaj situate, mësuesit e gjimnazit të Strugës Ibrahim Temo, me nismë të vetë shkollës, ishin pjesë e një trajnimi dyditor, i cili kishte për qëllim njohjen e tyre nga afër, si dhe mënyrën se si nxënësit me aftësi të kufizuara mund të marrin trajtimin dhe edukimin e duhur, por edhe si t’i njohin ato./Alsat.mk