Shkup, 3 gusht 2025
Pas incidentit të rëndë gjatë ndeshjes Maqedoni–Rumani, ku u dëgjuan thirrje raciste dhe nacionaliste kundër shqiptarëve, Yllka Nuredini ka reaguar përmes një mesazhi publik, duke theksuar rëndësinë e reagimit institucional dhe të mungesës së heshtjes përballë gjuhës së urrejtjes.
“Kësaj radhe, nuk u hesht. Dhe kjo ka rëndësi. Për herë të parë pas shumë vitesh, kur shqiptarët janë ofenduar në stadiume, në shkolla, madje edhe janë rrahur nëpër autobusë vetëm pse flasin shqip, sot më në fund pamë që dikush në pushtet e ngriti zërin. Pa dykuptimësi, pa llogari të ftohta politike, por me dinjitet dhe përgjegjësi,” – shkroi Nuredini.
Ajo kritikoi heshtjen e mëhershme të BDI-së në rastet kur shqiptarët janë përballur me sulme verbale e fizike, duke përmendur se frika për humbjen e pushtetit ishte më e madhe se përgjegjësia ndaj qytetarëve.
“Kur rriheshin të rinjtë shqiptarë nëpër autobusë – BDI heshti. Kur bëheshin thirrje ‘vdekje shqiptarëve’ në stadiume – BDI nuk u shqetësua. Kur në librat e historisë fëmijëve tanë u thuhej se janë ‘pushtues’ – askush nga ta nuk kërkoi llogari.”
Nuredini theksoi se ndryshimi tashmë ka nisur dhe se gjuhës së urrejtjes i ka ardhur fundi.
“Sot, kemi njerëz që nuk ulin kokën kur fyhen shqiptarët. Dhe kjo është një kthesë që duhet mbrojtur. Gjuhës së urrejtjes i ka ardhur fundi. Të gjithë ata që në emër të patriotizmit fabrikojnë ndasi, duhet ta kuptojnë: shqiptarët nuk janë më pa zë. Dhe pushteti nuk është më pa ndërgjegje.”
- Ky reagim vjen në vazhdën e dënimeve publike ndaj ngjarjes së 2 gushtit, ku për herë të parë, përfaqësues të qeverisë shqiptare reaguan ashpër ndaj thirrjeve raciste, duke sinjalizuar një qasje të re në raport me të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut./fol.mk