Bashkimi Evropian do të ndjekë nga afër procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut. Besojmë se të gjitha forcat politike në vend do të mbështesin përparimin në rrugën evropiane. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, duke komentuar zgjedhjet e dyfishta të ardhshme.
“Ne po e ndjekim nga afër procesin zgjedhor. Këshilli Evropian ka treguar se çfarë pret dhe padyshim nga ana jonë ne e mbështesim plotësisht dhe qartë perspektivën evropiane për pranimin e Maqedonisë së Veriut. Ne presim që të jemi në gjendje të hapim negociatat e anëtarësimit sa më shpejt të jetë e mundur. Siç e dini, vendi është i përkushtuar për ndryshime në Kushtetutë dhe nga këndvështrimi ynë, ne besojmë se forcat politike do të fokusohen në avancimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.”, – deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero.
Shpresoj se Maqedonia dhe Shqipëria do të mund të hapin negociatat për grupin e parë, të drejtat themelore, sa më shpejt të jetë e mundur, thotë Pisonero. Ajo shton se vendimi se kur do të mbahen konferencat e ardhshme ndërqeveritare tashmë është në duart e shteteve anëtare. Ndërkohë, këshilli i BE-së miratoi rregulloren për Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, me vlerë 6 miliardë euro. Për të marrë paratë, vendet kandidate duhet të përgatisin një agjendë reformash.