Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka deklaruar se gjatë takimit të së martës me emisarin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Bislimi ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet palë konstruktive në dialog, e përkushtuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke.
“Ai nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit si dhe zbatimit në plotni të marrëveshjeve, përmes një plani të sekuencimit të balancuar, të barabartë dhe të drejtë për palët. Gjithashtu shtoi se Serbia në vazhdimësi e ka shkelur marrëveshjen në shumicën e neneve të saj, veçanërisht nenin 4 të saj kur ka votuar e lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e po ashtu dhe përmes letrës së ish-kryeministres Brnabiq në dhjetorin e kaluar”, thuhet në njoftim.