Sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Blerant Ramadani në një intervistë për Euronews ka theksuar se pavarësisht propagandave ditore, VLEN si pjesë e Qeverisë për kohën e shkurtër sa është në pushtet është fokusu në realizimin e projekteve konkrete që prekin shqiptarët dhe përmirësimin e gjithë atij kaosi ligjesh, fasadave të përfaqësimit dhe devijimeve institucionale që janë ndaj shqiptarëve.

“Ne jemi të interesuar për fotografinë e madhe të politikbërjes së kësaj Qeverie. Qasja jonë si VLEN në këtë Qeveri është shumë e qartë në mbrojtjen dhe përmirësimin e realizimin e çështjeve shqiptare, takimet dhe fokusi ynë në rajon që u dëshmua me mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Kosovës, agjenda eurointegruese dhe partneriteti me ShBA, investimet në fushën e ekonomisë, infrastrukturës dhe komunat shqiptare, pra për çështje jetike që prekin shqiptarët”, theksoi Blerant Ramadani.

Sa i përket çështjes së gjuhës që sërish aktualizohet dhe përdoret nga opozita shqiptare, sekretari gjeneral i ASH-së nënvizoi: “Çështja e gjuhës shqipe është jetike për neve shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ne do të punojmë që ajo vetëm të avancohet, e jo të cenohet! “.(INA)