Mungesa e sinjalistikës apo e rreth rrotullimit në kryqëzimin mes bulevardit Bllagoja Toska dhe rrugës 29 Nëntori, po kthehet në udhëkryqin më të rrezikshëm në qytet. Vozitësit janë të hutuar shkaku i ndërrimit të përparësisë, si pasojë e të cilës, në këtë udhëkryq, në ditë ka të paktën nga një apo dy aksidente. Banorët alarmojnë për zgjidhje urgjente të problemit, sepse jeta e tyre për çdo ditë vihet në rrezik.

“Para dy netësh mua më goditën në derë, bile jam duke shkuar në spital çdo ditë për kontrolle. Doli nga poshtë dhe më goditi, kurse unë kisha të drejtë. Ka shenjë por se shohin, edhe polici nuk ka çka të bëjë. O semafor o rreth duhet patjetër”, tha një banor.

“Është ndërruar kahja, duhet një zgjidhje afatgjate por edhe shenjat janë ajo rrugë nuk ka përparësi ndërsa përpara kishte. Tash e kundërta”, u shpreh një banor.

“O semafor o rreth rrotullim, na dëmton kjo sepse është problematike siguria nuk është si duhet”, shtoi një banor.

Nga komuna e Tetovës, thonë se para tre muajve kanë bërë kërkesë por sektori i punëve të brendshme se nuk jep leje për vendosjen e semaforëve apo rreth rrotullimit. Nga ana tjetër, Sektori i Punëve të Brendshme i Tetovës, pranon se ka pasur kërkesë nga komuna, por nuk i është dhënë leje sepse fillimisht thonë se duhet vendosur sinjalistika.

“Është për të ardhur keq se si pushteti qendror nuk interesohet për jetën e qytetarëve në atë bulevard ku kanë ndodhur aksidente gati se çdo ditë. Opinioni duhet ta di se për vendosjen e semaforit në Bllagoja Toska përgjegjës është SPB Tetovë. Gjithçka është rregulluar pra duhet vetëm pëlqimi i policisë për vendosjen e semaforit, pëlqim që gati tre muaj nuk po e marrim”, deklaroi Besarta Ramadani zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

“Sa i përket kërkesës së komunës së Tetovës e njëjta është kundërshtuar shkaku i shkaqeve që i dini edhe vet. Në këtë udhëkryq nuk ka të rregulluar komunikacion as me semafor e as me unaza, andaj SPB nuk ka dhënë pëlqim për tu lëshuar kjo rrugë dhe të ndryshohet regjimi i komunikacionit ”, u shpreh Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.

Deri në zgjidhjen e problemit, vozitësit vazhdojnë të përballem me rrezikut e aksidenteve që mund të jetë edhe fatale andaj bëjnë thirrje për masa urgjente. /Alsat.mk