Shkruan: Naser Pajaziti

Burhan Nuhija nga Poroji i Tetovës po mbush gati 19 vjet në burgun e Idrizovës, i dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e një të riu maqedonas në lagjen Drenovec të Tetovës, derisa po lozte basketboll me fëmijët e lagjes.

Agjencia e lajmeve INA në vazhdimësi ka trajtuar rastin e Burhanit, i cili kërkon drejtësinë dhe pafajësinë, pasi që dëshmitë dhe provat e ofruara flasin se Burhani nuk ka lidhje me vrasjen që ndodhi më 19 tetor 2002 në lagjen Drenovec të Tetovës, disa muaj pas përfundimit të luftës së 2001.

Avokatët e tij thonë se kjo lehtësisht dëshmohet edhe përmes dhjetëra dëshmive dhe provave që dëshmojnë se Burhani se është i pafajshëm. Burhani thotë se është proces i montuar ndaj tij si ish-pjesëtar i UÇK-së, dhe se rasti i tij është pjesë e montimeve të shërbimeve sekrete.

Burhani në disa biseda dhe rrëfime ka apeluar për drejtësi, fuqishëm i bindur se e kanë montuar.

Janë me dhjetëra dëshmitarë që ishin paraqitur në gjykatë se Burhani ditën e vrasjes ishte krejtësisht në vend tjetër, por që gjykata nuk pranoi ato. Disa nga dëshmitarët sot kanë ndërruar jetë, por ka dëshmi edhe të tjera që avokati i tij maqedonas thotë se klienti i tij mbahet pa faj.

Zbardhja e këtij rasti të harruar në labirinthet e drejtësisë mund të çmontoj rubikonin e montimeve dhe zinxhirit institucional të nëntokës që ka funksionuar sipas shabllonit DSK+ Prokurori hetues+ Trupi Gjykues.