Tetë pacientë me formë neuroinvazive të konfirmuar të etheve të Nilit Perëndimor po trajtohen në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup. Dy prej tyre ndodhen në gjendje më të rëndë klinike, janë të intubuar dhe marrin frymë përmes ventilimit mekanik. Gjatë fundjavës është regjistruar edhe viktima e tetë nga ky virus. Bëhet fjalë për një pacient 70-vjeçar, i cili më 25 gusht ishte pranuar në Klinikë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive në Shkup, Fadil Cana, tha në konferencën e sotme për media se pacienti ishte vendosur menjëherë në repartin e kujdesit intensiv, ku ishte intubuar dhe vendosur në ventilim mekanik.
“Fatkeqësisht, gjatë fundjavës u regjistrua edhe një rast me përfundim fatal, pacienti i tetë, 70-vjeçar, i cili ishte pranuar më 25 gusht në gjendje jashtëzakonisht të rëndë. Pavarësisht trajtimit dhe përpjekjeve të stafit të kujdesit intensiv, pas dhjetë ditësh qëndrimi në Klinikë, pacienti ndërroi jetë”, deklaroi Cana. Nga tetë pacientët e hospitalizuar, dy kanë pasqyrë më të rëndë klinike dhe ndodhen në repartin e kujdesit intensiv, të intubuar dhe të lidhur me ventilim mekanik. Sipas Canës, përveç një pacienti nga Sveti Nikole, të gjithë pacientët e tjerë janë nga Shkupi dhe janë mbi 60 vjeç.
“Vetëm njëri nga pacientët e rinj të hospitalizuar, i cili ndodhet në repartin e neuroinfeksioneve, është nga Sveti Nikole. Të tjerët janë nga Shkupi”, tha Cana. Ai theksoi se prej katër ditësh nuk është pranuar asnjë pacient i ri me diagnozë të konfirmuar të etheve të Nilit Perëndimor në Klinikën për Sëmundje Infektive. Sipas tij, të gjithë pacientët që po trajtohen në këtë Klinikë janë infektuar brenda vendit. /MIA

