Presidenti amerikan Joe Biden dhe lideri kinez Xi Jinping diskutuan ndër të tjera për rrjetin social TikTok në bisedën telefonike që e patën së fundmi.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, konfirmoi se TikToku ishte një nga temat e bisedës dhe se Bideni “i përsëriti Jinpingut shqetësimet për pronësinë kineze të aplikacionit popullor për videot e shkurtra”.
“Kjo nuk kishte të bënte me ndalimin e aplikacionit, por kishte të bënte me mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare dhe sigurinë e të dhënave të popullit amerikan”, shpjegoi Kirby.
Muajin e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi një projekt-ligj që ndalon funksionimin e TikTokut nëse ByteDance, kompania mëmë kineze, nuk arrin të shesë aksionet e saj.
Presidenti Biden ka thënë se do ta nënshkruante ligjin, megjithëse shanset që të kalojë në Senat janë ende të vogla.
Synimi është që ByteDance të shesë aksionet e saj, sepse në të kundërt përballet me ndalim në SHBA. Nëse projektligji miratohet, ByteDance do të ketë 165 ditë kohë për të ndërruar pronësinë.
Ishte biseda e parë telefonike mes Bidenit dhe Jinpingut që nga nëntori.