Shpërndarja e mandateve bëhet sipas formulës së D’Hondt-it, me ç’rast rezultatet përcaktohen për secilën njësi zgjedhore veç e veç, sipas numrit të votave të përgjithshme që i kanë fituar listat e kandidatëve

Në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, deputeti zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të lira me votim të fshehtë për një mandat 4-vjeçar. Në zgjedhjet parlamentare zgjidhen 120-123 deputetë, ndërsa sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Parlamentin mund ta përbëjnë nga 120 deri në 140 deputetë. Deputetët zgjidhen sipas modelit zgjedhor proporcional me lista të mbyllura të deputetëve, me ç’rast në secilën nga gjashtë njësitë zgjedhore, sipas të cilave është bërë ndarja e territorit të shtetit, zgjidhen nga 20 deputetë, shkruan gazeta KOHA.

Me ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor të shkurtit 2020, u bë ristrukturimi i njësive zgjedhore, ku dy komuna (Dibër dhe Mavrovë-Rostushë) kanë kaluar nga njësia zgjedhore e gjashtë në atë të pestë, ndërkohë që Zajazi dhe Osllomeja nga njësia zgjedhore pesë në të gjashtën. Numri i zgjedhësve në territorin e shtetit mund të lëvizë më së shumti në kuadër të margjinës -/+5% në raport me numrin mesatar të zgjedhësve në njësitë zgjedhore. Shpërndarja e mandateve bëhet sipas formulës së D’Hondt-it, me ç’rast rezultatet përcaktohen për secilën njësi zgjedhore veç e veç, sipas numrit të votave të përgjithshme që i kanë fituar listat e kandidatëve.