Tregtarët nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre përballë Qeverisë lidhur me marzhën e paralajmëruar për mbi 100 grupe të produkteve ushqimore dhe joushqimore. Kreu i Odës Ekonomike të tregtarëve me pakicë dhe shumicë Lavdrim Gega thotë se nëse marzha vendoset në 10%, atëherë nuk do të mund t’i mbulojnë as harxhimet e tyre themelore.
“Jemi të kënaqur që edhe ne si markete jemi të përfshirë në vendimmarrje në koordinim me Qeverinë. Gjithmonë janë koordinuar vetëm me distributorët e prodhuesit. Harxhimet themelore të marketeve janë 12 deri në 15%, përfshirë rrogat, kontributet, qiraja dhe rryma. Faktorë për problemin me çmimet e larta nuk janë marketet por distributorët dhe prodhuesit. Kemi dhe kërkesa të tjera të cilat do t’i shpalosim në takimin e radhës me Ministrinë e Ekonomisë”, tha Lavdrim Gega – Oda Tregtare.
Por pavarësisht marzhës së paralajmëruar por edhe shportave paraprake, qytetarët e anketuar nga Alsat thonë se nuk ndjejnë asnjë ulje të çmimeve.
“Më së miri është që shteti të bëjë markete të saja, ku do të jep çmim më të lirë, do të jetë konkurrent për këta, dhe kështu mund të përmirësohet gjendja. Kush mendoni se është fajtori më i madh? Marketet, prodhuesit apo distributorët?
Nuk ka prodhim tek ne, gjithçka importohet, asgjë nuk është maqedonase. Gjithçka është e importuar dhe me siguri doganat”, tha një qytetar.
“Dmth çmimet për së tepërmi janë të shtrenjta dhe e teprojnë periudhën e fundit”, shtoi një tjetër qytetar.
“Shumë ndjehet, gjithnjë më shtrenjtë e më shtrenjtë.
Kush është më tepër fajtor sipas jush, marketet, prodhuesit apo distributorët?
Ku e di, të gjithë! Unë mendoj se të gjithë fajtorë. Nuk gjendet një gjuhë e përbashkët që të ulen çmimet sepse me të vërtetë nuk mund të qëndrohet kështu”, tha një qytetare.
“90% e qytetarëve nuk i ndjejnë. Çka është tepër është tepër. Ja kafen që e mora, 157 denarë. Unë kam pritur shumë nga kjo Qeveri por asgjë”, theksoi një qytetar.
Nga takimi i një dite më parë mes tregtarëve dhe ministrit të ekonomisë Besar Durmishi nuk u arrit asnjë marrëveshje ndërsa bisedimet do të vazhdojnë javën që vjen. Ministria paralajmëroi se do të shqyrtojë kërkesat e tregtarëve të cilët insistojnë që në marzhë të përfshihen vetëm 200 produkte e jo 1 mijë sa janë parashikuar. Paralajmërimet për vendosjen e marzhave erdhën pasi Inspektorati i Tregut dorëzoi raportin gjashtë mujor të inspektimeve sa i përket përqindjes së fitimit nga distributorët, prodhuesit dhe tregtarët. Siç thuhet në raport, tregtarët kishin ngritur marzhën e fitimit deri në 30% ndërsa distributorët deri në 50%. /Alsat.mk