Valter Mazarri është shumë pranë detyrës së trajnerit të Napoli. Mediat italiane konfirmojnë se trajneri 62-vjeçar ka fituar balotazhin me Igor Tudor për t’u ulur në stolin e skuadrës kampione të Italisë. Gjithsesi, kjo detyrë për Mazarrin do të jetë vetëm për 6 muaj, deri në fund të këtij sezoni, pa të drejtë rinovimi të kontratës. Duket se trajneri ka pranuar këtë mundësi, duke qenë se nuk drejton një ekip prej gati një viti.

– Advertisements –

Mazarri ka qenë edhe më parë trajner i Napoli, në sezonet 2009-2013. Ai do të zërë vendin e trajnerit Rudi Garsia, që pritet të shkarkohet zyrtarisht sot nga klubi i Napoli, pas humbjes 0-1 që pësoi në shtëpi nga Empoli. Presidenti De Laurentiis është i idesë që të marrë një trajner të përkohshëm, deri në fund të sezonit.

Objektivi i Mazari do të jetë i thjeshtë, të mbajë ekipin mes 4 skuadrave që do të luajnë në Ligën e Kampionëve. Ndërsa në korrik, kur të nisë sezoni i ri, klubi napoletan mund të ulë në stol Igor Tudor. Të dy kandidatët për stolin e Napoli kanë takuar presidentin De Laurentiis, që ka vendosur të bëjë këtë zgjidhje.