Dibra ka qenë qyteti ku demokratët, tashmë të ndarë mes atyre që përkrahin Bashën dhe ata të Rithemelimit, janë “përballur” mes tyre.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin Zgjedhor të PD në Dibër, Lulzim Basha ka sulmuar marrëveshjes mes PS dhe Rithemelimit, duke e cilësuar si Pazar që “uli flamurin e revolucionit të Rithemelimit” dhe iu nënshtruan Edi Ramës.

“Ajo që pritet është një marrëveshje pazar dhe se është prodhuar një fabul e tërë se revolucioni do të shporrë këtë qeveri. Qeveria ka kaluar që t’i kalojë ligjet sa hapë e mbyll sytë. Pse u dorëzua flamuri i revolucionit? Sot ata që e rrëzuan revolucionin i kanë sytë përdhe. Pse nuk shohin ata po i mbajnë sytë përdhe? Ata duhet të tregojnë se si u katandis “kokoshi me një thelë”. Kërkuan revolucion. Sot po rrinë si qengja përballë Edi Ramës me shpresën se ky pazar do t’i mbajë në karrigen e radhës”, tha Basha.

Gjithashtu kryedemokrati tha se PD është e vetmja shpresë për rotacion në qeveri, ndërsa ftoi të gjithë demokratët që t’i bashkohen.

“Kam një thirrje për bashkim. Shpresa e vetme për rrotacion është këtu, është Partia Demokratike e Shqipërisë. Nuk ka ndryshuar asnjë germë në qëndrimet e saj”, tha Basha.

Edhe Gazmend Bardhi u bëri thirrje për bashkim demokratëve në grupin e Rithemelimit në mënyrë që të fitojnë zgjedhjet e ardhshëm dhe të ndalin keqqeverisjen e vendit.

“Një leksion që kemi marrë nga Dibra dhe u përpoqëm që ta bëjmë realitet, ishte nevoja për bashkim. Sa herë që keni qenë të bashkuar, e keni mundur PS. Lajmi i mirë për demokratët e Dibrës dhe të gjithë demokratëve në mbarë Shqipërinë, është që pas 2 vitesh, PD është më e bashkuar dhe më e fortë, gati për t’u përballur me betejën për zgjedhjen e 2025-ës. Nëse do të shihni qeverisjen e Ramës, shikoni Rrugën e Arbrit. Rruga është gjysmë e shkatërruar, dhe e painuguruar. Paratë shkojnë te xhepat e ministrave dhe drejtorëve, që më pas me paratë e korrupsionit, vinë dhe blejnë qytetarët”, tha Bardhi.

Marrëveshja PS-Rithemelimi bëri që pas më shumë se 5 muajsh kaos seanca e Kuvendit të zhvillohej me diskutime dhe në vend të zhurmuese vendi iu la kartonëve jeshilë për ngritjen e dy komisioneve hetimore për sistemin TIMS dhe koncesionet në Shëndetësi, konkretisht kontratat publike të check up-it dhe sterilizimit.