8 C
Tetovo
E premte, 4 Korrik, 2025
BallinaLajmeOpinioneDiplomacia e turpit: Si po përdoret ambasadori i Shqipërisë për rikthimin e...

Diplomacia e turpit: Si po përdoret ambasadori i Shqipërisë për rikthimin e BDI në pushtet

Nga redaksia e FOL

Në një vend të vogël si Maqedonia e Veriut, ku çdo lëvizje diplomatike vështrohet me kujdes, ndërhyrja e fundit e ambasadorit shqiptar Denion Mejdani në çështje të brendshme politike ka kaluar çdo kufi të mandatit të tij zyrtar. Diplomacia është art i neutralitetit, i përfaqësimit shtetëror dhe jo i mbrojtjes së interesave të partive të korruptuara lokale. Por Mejdani, me deklaratat dhe qëndrimet e tij të fundit, ka shkelur këtë vijë të kuqe dhe këtë e ka bërë jo rastësisht, por në mënyrë të kalkuluar, për llogari të një partie që për vite me radhë e ka kriminalizuar jetën politike të shqiptarëve.

Nuk ka më vend për iluzione. Qasja e ambasadorit Mejdani në rastin e shkollës së Nerovës, ku pa kurrfarë kontributi konkret tentoi t’i atribuojë vetes merita për një çështje që kishte filluar shumë më herët nga faktorë lokalë dhe qeveria për t’u zgjidhur , është një shfaqje e ulët e diplomacisë militante. Nuk është aspak sjellje dinjitoze për një përfaqësues të shtetit shqiptar që të përfshihet në propagandën e një partie tashmë në opozitë, e njohur gjerësisht si një prej strukturave më të kriminalizuara politike në Evropë.

Por përtej kësaj, ajo që po ndodh duket të jetë një skenar i mirëmenduar, ku Mejdani është vetëm një aktor. Nga njohës të politikës dhe zhvillimeve diplomatike, kjo ndërhyrje shihet si përpjekje e qëllimshme për të nxitur një reagim të ashpër institucional nga ana e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, me qëllim që Mejdani të shpallet “non grata”. Dhe pastaj, sipas skenarit, BDI do të dalë në skenë me narrativën e njohur: “Qeveria është anti-shqiptare.” E gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të rikthyer këtë strukturë të dështuar në pushtet përmes viktimizimit të inskenuar dhe manipulimit emocional të qytetarëve.

Në këtë lojë të pistë, BDI përpiqet sërish të paraqitet si mbrojtëse e të drejtave të shqiptarëve, duke keqpërdorur edhe Kushtetutën e Shqipërisë, konkretisht nenin 8, që i jep shtetit shqiptar të drejtën për të mbrojtur interesat e shqiptarëve jashtë kufijve. Por ky nen nuk i jep të drejtë asnjë diplomati të kthehet në zëdhënës të vetëm të një partie politike. Ambasadori i Shqipërisë duhet të jetë përfaqësues i të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, dhe jo vetëm i atyre që janë pjesë e strukturave të BDI-së.

Nëse Mejdani e sheh veten si militant partiak dhe jo si përfaqësues i shtetit shqiptar, atëherë ai duhet të tërhiqet menjëherë nga posti diplomatik. Sjellja e tij nuk është vetëm e papërgjegjshme, ajo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me etikën diplomatike dhe me parimet e përfaqësimit shtetëror. Për më tepër, me këtë sjellje ai dëmton interesat afatgjata të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sepse i barazon ata me një strukturë të kriminalizuar dhe të diskredituar si BDI.

Nëse diplomacia kthehet në agjenci propagande, atëherë përfaqësimi diplomatik humbet çdo kuptim. Shqiptarët nuk kanë nevojë për ambasadorë që mbrojnë interesa të klaneve politike të kalbura, por për diplomatë që respektojnë barazinë, ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari.

Denion Mejdani ka bërë zgjedhjen e vet. Tani është radha e institucioneve shqiptare që të marrin përgjegjësinë për këtë devijim të rrezikshëm dhe ta thërrasin në përgjegjësi. Sepse diplomacia nuk është shërbim ndaj partisë, është shërbim ndaj shtetit.

spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments