Këshilli i Evropës ka njoftuar se sot do të fillojë Asambleja e Këshillit të Evropës, e cila do të zgjasë deri të premten e 19 prillit.

Në mesin e pikave për diskutim është edhe ai për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për të folur për këtë çështje ishte këtë të hënë i ftuar në një intervistë për Euronews Albania, Kreshnik Ahmeti zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë.

Sipas tij vendet me skepticimin më të madh lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës janë ato vende që nuk kanë marrëdhënie diplomatike me të. Por megjithatë ai u shpreh se ekziston mundësia që edhe disa vende të cilat nuk janë dhe demokratike të jenë kundër, pavarësisht se mund të kenë marrëdhënie diplomatike.

“Vendet që ende nuk kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën janë ato që kanë skepticizëm më të madh. Por karakteristikë e asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës është se kemi 300 deputetë, të cilët jo domosdoshmërish janë të lidhur me udhëzimet që vijnë nga ministritë e punëve të jashtme apo me qeveritë e vendeve.

Kjo në të shumtën e rasteve është në favorin tonë, por ka edhe raste të deputetëve të partive ekstreme që vijnë nga vende që tashmë kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, por ata mund të votojnë kundër, pasi ne e dimë që edhe në vendet europiane ka parti të cilat nuk janë dhe aq demokratike”.