Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka dhënë dorëheqjen të mërkurën, pasi presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi planet për ndryshime në kabinetin e luftës, duke pasur parasysh se kanë kaluar dy vjet e gjysmë nga fillimi i pushtimit rus.
Kryetari i Verkhovna Rada (parlamenti njëdhomësh ukrainas), Ruslan Stefanchuk, njoftoi dorëheqjen e Kulebas, duke shtuar se ajo do të diskutohet nga anëtarët e parlamentit ukrainas.
Një ditë më parë, Stefanchuk konfirmoi se kanë dhënë dorëheqjen edhe zëvendëskryeministrja për integrimet evropiane dhe euroatlantike, Olha Stefanishyna dhe zëvendëskryeministrja për riintegrimin e territoreve të pushtuara përkohësisht, Iryna Vereshchuk.
Zelensky ka thënë se janë duke u përgatitur ndryshime shtesë në qeverinë ukrainase, me qëllim forcimin e qeverisë dhe plotësimin e nevojave të vendit.
“Për shkak të kësaj, do të ketë një sërë ndryshimesh të personelit në kabinetin e ministrave dhe në zyrën e presidentit”, pati thënë Zelensky më 3 shtator, duke lënë të kuptohet se ndryshimet do të zbatohen gjatë vjeshtës.
Në të njëjtën ditë kanë dhënë dorëheqje edhe ministri i Industrive Strategjike, Oleksandr Kamyshin, ai i Drejtësisë, Denys Maliuska dhe ai i Mjedisit, Ruslan Strilec. Kamyshin, i cili mbikëqyr prodhimin vendas të armëve, ka thënë se do të vazhdojë të punojë në sektorin e mbrojtjes, por në një pozicion tjetër.
Zelensky i shpjegoi ndryshimet me nevojën për ndërveprim më të mirë midis qeverisë qendrore dhe komuniteteve, veçanërisht në përgatitjen për sezonin e dimrit.