Drejtoria Doganore e Maqedonisë së Veriut ka hapur procedurë për hetim të brendshëm në lidhje me indikacionet e portalit të “Veçer” se funksionarë të BDI-së, janë të përfshirë në kontrabandë me makina luksoze, me çka nga shmangia e tatimeve për zhdoganim, shteti është dëmtuar me miliona euro.

“Në bazë të informatave, Drejtoria Doganore që në mëngjes ka ngritur procedurë për hetim të brendshëm të cilën do ta zbatojë Sektori për Përgjegjësi Profesionale. Detaje në lidhje me hetimin do të ndajmë pas mbarimit të të njëjtës. Prioritetet tona janë zero korrupsion dhe shkatërrim të tërësishëm të krimit dhe po ndërmerren të gjitha masat me qëllim të çrrënjosjes së dukurive të tilla”, thonë nga Drejtoria Doganore e Maqedonisë së Veriut.

Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit theksojnë se deri tek ata nuk ka arritur kurrfarë njoftimi apo padi në lidhje me indikacionet e portalit “Veçer”.

Në lidhje me veprimin e tyre me vetiniciativë, nga Prokuroria thonë se në këtë rast, ky instrument përdoret vetëm në rast Se Drejtoria Doganore nuk do të vepronte.

Duke thirrur në burime në doganë, portali “Veçer” ka shkruar se prapa kësaj kontrabande qëndron Suad Alija, pronar i dyqaneve të mallrave shtëpiake “Homax”, i cili bashkëpunon me dy të punësuarit në Doganë, Mensur Curri dhe Besnik Osmani. Por, kompania sot ka hedhur poshtë pretendimet e portalit.

“Demantojmë ashpër se Suat Alija është pronar i dyqaneve të mallrave shtëpiake Homax. Personi Suat Alija nuk është pronar, drejtues e as i përfshirë në kompaninë Homax”, thonë nga Kompania “Homax”.

Sipas portalit, funksionarë të BDI-së kanë ngritur skemë mashtrimi nëpërmjet të cilës, nga importi i veturave luksoze kanë paguar shumë më të vogël të tatimit për zhdoganim.

Për shembull, në vend të paguajnë 30.000 euro për një veturë luksoze, importuesi ka paguar vetëm 5.000 euro, duke e shmangur katalogun e vlerësimit nga sistemi evropian. / Alsat.mk