Turqia nuk do të hezitojë të kryejë një ofensivë të re në Sirinë veriore nëse grupet e udhëhequra nga kurdët – të cilat Ankaraja i akuzon se janë të lidhura me militantët kurdë të jashtëligjshëm, vazhdojnë me planet për të mbajtur zgjedhje lokale në rajon, ka deklaruar të enjten presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Një administratë autonome e udhëhequr nga kurdët që kontrollon pjesët veriore dhe lindore të Sirisë ka njoftuar planet për të mbajtur zgjedhjet komunale më 11 qershor. Votimi për të zgjedhur kryetarët e bashkive parashihet të mbahet në provincat Hassakeh, Raqqa, Deir el-Zour dhe pjesën lindore të Aleppos krahinë, raporton AP.
Turqia, e cila ka nisur operacione ushtarake në Siri në të kaluarën, e konsideron këtë veprim si një hap të milicisë kurde siriane drejt krijimit të një entiteti të pavarur kurd përtej kufirit të saj. Ajo i ka përshkruar zgjedhjet e planifikuara si një kërcënim për integritetin territorial të Sirisë dhe Turqisë.
“Ne po ndjekim nga afër veprimet agresive të organizatës terroriste kundër integritetit territorial të vendit tonë dhe të Sirisë nën pretekstin e zgjedhjeve”, ka thënë Erdogani pas vëzhgimit të stërvitjeve ushtarake në Turqinë perëndimore.
Turqia e konsideron grupin e milicisë kurde, të njohur si Njësitë e Mbrojtjes së Popullit, ose YPG, si një grup terrorist të lidhur me një grup të jashtëligjshëm kurd që ka udhëhequr një kryengritje kundër Turqisë që nga viti 1984. Konflikti me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, ka lënë të vdekur dhjetëra mijëra njerëz.
Turqia ka kryer një sërë operacionesh ushtarake në Siri për të dëbuar milicinë kurde siriane larg kufirit të saj që nga viti 2016, dhe kontrollon një pjesë të territorit në veri. Udhëheqësit turq shpesh flasin për planet për të krijuar një zonë të sigurt 30 kilometra të thellë përgjatë kufirit të saj në Siri dhe Irak.
“Ne bëmë atë që duhej në të kaluarën përballë një fakti të kryer. Ne nuk do të hezitojmë të veprojmë përsëri nëse hasim të njëjtën situatë”, është shprehur Erdogani.