Zëvendëskryeministri dhe Kryetari i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Fetai, përmes një statusi në rrjetet sociale ka zbuluar atë që ai e quan plan i Arben Taravarit për sabotim të koalicionit VLEN dhe të qeverisë reformatore, si dhe prapaskenat e bashkëpunimit të tij me BDI-në.
Sipas Fetait, kërkesa për lista të veçanta për këshilltarë komunalë dhe për sondazhe të pavarura për kryetarë komunash ishte vetëm një justifikim për t’u larguar nga VLEN dhe për të hyrë në pazare politike me BDI-në në kuadër të zgjedhjeve lokale.
“Na thanë: po ndahemi nga VLEN sepse duam lista të ndara për këshilltarë komunalë dhe sondazhe për kryetarë komunash. Pastaj e zbuluan pazarin: BDI ‘na jep’ njërit krah Likovën, Sarajin, Tearcën, Gostivarin, Vrapçishtin dhe Strugën; krahut tjetër, Haraçinën dhe Studeniçanin – si me qenë komunat karamele që i shpërndan Aliu me dorë të lirë,” shkruan Fetai në një postim publik.
Ai më tej sfidoi Arben Taravarin dhe grupin që është shkëputur nga ASH-ja që të bëjnë publike marrëveshjet me BDI-në.
“Hajdeni burra, nxirrni tash ato lista të ndara dhe sondazhet e pavarura për kandidatët e pranueshëm për Aliun. Shpallni ato 8 kandidatura të dhuruara nga babadimri i Zajazit”, përfundon Fetai.
Ndërkohë, Këshilli Koordinues i ASH-së, i udhëhequr nga Fetai, po zhvillon takime intensive me strukturat e partisë në çdo degë të ASH-së, duke u mobilizuar për të vazhduar rrugën brenda koalicionit VLEN dhe për të forcuar pozicionin në qeverinë reformatore.