Zv.kryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai, ka reaguar pasi Prokuroria Themelore Publike njoftoi se ka arritur marrëveshje me të dyshuarin e dytë në aferën e pranimit të ryshfetit në shumë prej 10 mijë eurove, ish-avokatin e popullit Ixhet Memeti, i cili ka pranuar fajin në lëndën ku i dyshuari i parë është ish-gjykatësi i Gjykatës Supreme, Nake Georgiev.
“Prokurori i BDI-së, Islam Abazi, paska kërkuar dënim me kusht prej 1 viti kundër prokurorit tjetër të BDI-së, Ixhet Memeti, i kapur duke marrë mito prej 10.000 eurosh për të ndikuar në uljen e dënimit të një politikani të akuzuar për trafikim me lëndë narkotike.
Poashtu qenka kërkuar që kundër Memetit të ketë ndalesë të përkohshme për ushtrimin e profesionit, me siguri që të mos ketë mundësi të marrë mito për një kohë. Mungon vetëm edhe vërejtja me shkrim, shoqëruar me urdhër për vetëkritikë.
Prandaj edhe jemi në këtë gjendje ku vetëm 2% e qytetarëve kanë besim në sistemin e drejtësisë. Prokurorisë dhe gjyqësorit i duhet reformë rrënjësore, veting dhe një fillim i ri, ku nuk do të ketë më vend për prokurorë të këtij lloji, të korruptuar e nën urdhërat e politikës dhe narko karetelëve”, thuhet në reagimin e zv.kryeministrit Fetai.
Nga Prokuroria thanë se është arritur marrëveshje me Memetin, i cili hetohej për “marrje të dhuratës për ndikim të paligjshëm”. Prokuroria thotë se me nënshkrimin e marrëveshjes, ai e ka pranuar fajin.
“Palët janë pajtuar që i dyshuari I.M. për veprën e kryer duhet të dënohet me masë alternative-dënim me kusht me burgim prej një viti, i cili nuk realizohet nëse i dyshuari brenda tre vjetëve nuk kryen vepër të re penale, gjykata duhet të shqiptojë edhe ndalimin e ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës së zyrtarit, për periudhë prej 3 vjetësh”.
“I dyshuari I.M. me vetë nënshkrimin e propozim-marrëveshjes e ka pranuar fajësinë, pra nuk e konteston veprën penale për të cilën ngarkohet dhe pajtohet me sanksionin e propozuar penal”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë, nga ku shtojnë se ka nisur procedura për marrëveshje edhe me ish-gjykatësin Georgiev.