Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ka miratuar Planin e rishikuar të veprimit për strategjinë për transparencë (2023–2026). Sipas zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai transparenca, nuk është vetëm parim, por praktikë e përditshme e kësaj Qeverie.
Gjatë muajve të fundit, siç thekson madje Fetai, ekipi ndërinstitucional ka punuar intensivisht për rishikimin e Planit të veprimit, duke vendosur afate të qarta dhe përgjegjësi të sakta për çdo institucion.
“Ky rishikim na mundëson të rrisim llogaridhënien dhe t’i afrojmë institucionet edhe më shumë qytetarëve. Siç theksova edhe në seancën qeveritare: Transparenca është dhe do të mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë. Me këtë vendim po sigurojmë zbatim më të shpejtë, më të përgjegjshëm dhe më të matshëm të strategjisë”, ka thënë Fetai në rrjetet sociale.
Në fazën përfundimtare, thekson mes tjerash Fetai, është edhe themelimi i grupit të ri të punës për hartimin e Strategjisë së re për transparencë 2027–2029, një hap tjetër, siç shton “drejt standardeve më të larta të qeverisjes së mirë dhe të hapur”.

