Zv.kryeministri për politika dhe sundim të mirë, Arben Fetai, në një intervistë për gazetën LAJM, tha se brenda këtyre ditëve sa VLEN është pjesë e pushtetit, funksionarët e këtij koalicioni kanë bërë shumë punë.
Ai bëri me dije se më 30 shtator, koalicioni VLEN do të shpalos punët që ka bërë në 100 ditët e paa të Qeverisë.
“Më datë 30 shtator bëhen saktësisht 100 ditë. Unë jam koordinator i VLEN-it për përgatitjen e aktiviteteve për 100 ditëshin dhe këto ditë jemi në fazën e grumbullimit të informatave nga të gjithë zyrtarët e koalicionit VLEN, në lidhje me arritjet e tyre në 100 ditëshin e parë. Janë arritur shumë rezultate, do ta shifni në fund të këtij muaji se sa shumë punë janë bërë në këtë 100 ditësh të parë dhe sa shumë tjera priten të bëhen. Për sa i përket luftës kundër krimit ky ishte një nga premtimet kryesore të koalicionit VLEN. Duke marrë parasysh qeverisjen e keqe në 22 vitet e kaluara të BDI-së dhe qeverisjen e keqe që e karakterizoi Qeverinë e kaluar LSDM-BDI, ku kemi parë shumë malverzime, korrupsion, kriminalitet dhe në këtë dy muaj apo 75 ditët e para kemi parë disa lëvizje. E para ka qenë në lidhje me kriminalitetin e video-lotarisë”, tha Fetai për gazetën LAJM.