Kryetari i komunës së Bogovinës Feti Abazi, ka njoftuar sot në rrjetet sociale, se sonte në mbrëmje do realizohet dezinsektimi kundër mushkonjave në tërë territorin e kësaj komune.
Ai ka apeluar bletarët për mbylljen e koshereve të bletëve në kohën e dezinsektimit, si dhe ka kërkuar nga qytetarët të mbrohen, gjatë kohës kur do ndodh spërkatja, nëse e shohin të nevojshme edhe duke kufizuar lëvizjet e tyre.
“Të nderuar qytetarë,
Ju njoftojmë se gjatë orëve të mbrëmjes së sotme, Komuna e Bogovinës do të realizojë aksionin e dezinsektimit kundër mushkonjave në të gjithë territorin e komunës.
Ky aktivitet ndërmerret me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, zvogëlimit të numrit të insekteve dhe krijimit të një mjedisi më të sigurt dhe më të pastër për të gjithë qytetarët.
Apelojmë veçanërisht tek të gjithë bletarët që të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e bletëve të tyre gjatë kohës së zhvillimit të aksionit, duke i mbajtur kosheret të mbyllura ose duke zbatuar masat e rekomanduara për të shmangur çdo dëm të mundshëm.
Njëkohësisht, u rekomandojmë qytetarëve që gjatë kohës së spërkatjes të kufizojnë lëvizjet në zonat ku zhvillohet trajtimi dhe, nëse është e mundur, të mbajnë të mbyllura dritaret dhe dyert deri në përfundimin e aktivitetit.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj!”, ka shkruar, Abazi.

