Filloristët dhe shkollarët e mesëm do të jenë në pushim pranveror për një javë, përkatësisht nga e hëna 29 Prill deri më 6 Maj. Nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme thanë se ditët e lira do të shfrytëzohen maksimalisht për përmbylljen e notave të fundvitit.

“Pushimi pranveror është shumë i mirë për gjithë nxënësit shkaku se jep një hapësirë për pushim por edhe të njëjtën kohë për t’u përgatitur përsëri për notat e gjysmëvjetorit të dytë. Po vërehet se profesorët janë duke i dhënë detyrat projektuese, mësimet edhe përgatitjet për test, tash për tu përgatitur gjatë pushimit pranveror”, deklaroi Berin Muhamed, UNSHM.

Ndërkohë, fëmijët e arsimit fillor thanë se përveç përgatitjeve mësimore do të kenë kohë edhe për aktivitete sportive dhe kulturore.

“Ky pushim pranveror do të vij shumë mirë për ne se do të kemi kohë më shumë të ushtrojmë për testet dhe notat për fundvit”, tha një nxënëse.

“Në këtë pushim pranveror do të përgatitemi edhe për notat e fundvitit dhe kemi kohë për aktivitete të tjera”, shtoi një nxënëse

“Në këtë pushim pranveror do të lexojmë lektyrat që akoma nuk i kemi mbaruar”, u shpreh një nxënëse.

Më 7 Maj, kur nxënësit rikthehen në shkollë do të punojnë me orar të shkurtuar për shkak të Zgjedhjeve parlamentare dhe rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Ndërsa më 8 Maj shkollat nuk do të punojnë po për shkak të zgjedhjeve. Mësimi i dy ditëve jo pune për shkak të zgjedhjeve do të kompensohet në ditë pune me qëndrim më të gjatë të nxënësve në shkolla dhe jo të shtuna. Nxënësit e Shkupit duhet të kompensojnë edhe mësimet e humbura më 30 nëntor, kur u organizua Samiti i OSBE-së. /Alsat.mk