Pas 22 vitesh nën udhëheqjen e BDI-së, administrata publike në Maqedoninë e Veriut po përjeton një ndryshim të ndjeshëm në mënyrën e punës dhe qasjes ndaj detyrave të përditshme. Me ndryshimin e pushtetit, ku qeveria e re ka marrë frenat, administratorët kanë filluar të ndihen më të lirë për të shprehur krijimtarinë pa frikën e ndërhyrjeve politike.

Sipas burimeve të brendshme, largimi i presionit politik dhe kontrollit të ngurtë ka krijuar një atmosferë më të hapur dhe më të ndershme, ku idetë e reja dhe qasjet kreative po inkurajohen më shumë se kurrë më parë.

“Për herë të parë ndjehem i lirë të propozoj dhe të zbatoj ide që më parë as që mund të mendoja t’i ndaja”, thotë një administrator që dëshiron të mbetet anonim.
Ky ndryshim është një përmbushje e drejtpërdrejtë e premtimit të koalicionit VLEN, i cili gjatë fushatës së tij “Votuesi i Heshtur” u angazhua fuqimisht për të çliruar administratorët nga frika dhe presioni politik.

Fushata “Votuesi i heshtur” gjeti një shtrirje të gjerë në opinionin publik para zgjedhjeve parlamentare, veçanërisht ndërmjet administratorëve publikë. Mesazhi kryesor ishte i qartë: votuesit, veçanërisht ata në administratë, të mos kenë frikë dhe të ndihen të lirë për të shprehur qëndrimet e tyre.