Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi takim me delegacionin e Kuvendit të Bavarisë. Në takim, kryetari Gashi shprehu kënaqësi të madhe për interesimin e vazhdueshëm gjerman për avancimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet, përfshirë edhe atë parlamentar.
Republika Federale e Gjermanisë, tha kryetari i Kuvendit, ka qenë mbështetësja jonë e fortë në dekadat e fundit për realizimin e synimeve tona strategjike – më parë anëtarësimin në NATO dhe aktualisht, përpjekjet për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur, për të cilën jemi veçanërisht mirënjohës.
Gashi përmendi edhe shkëmbimin tregtar: “Gjermania, është partneri ynë më i madh tregtar, e rënditur në vend të parë, me të cilin kemi arritur vëllimin më të madh të tregtisë me botën në 10 vitet e fundit. Shkëmbimi i lartë tregtar është rezultat i investimeve të konsiderueshme gjermane.
Anëtarët e delegacionit shprehën mirënjohjen e tyre për pritjen dhe i uruan Gashit suksese në pozitën e re si kryetar i Kuvendit. Në takim u diskutua edhe për sistemin arsimor, gjatë të cilit u shkëmbyen mendime për arsimin dual.
Gashi theksoi se kjo temë është shumë e rëndësishme për vendin tonë dhe se falë interesimit të kompanive gjermane për të investuar në vendin tonë dhe projektit për lidhjen e sistemit arsimor me një pjesë të kompanive, arsimi dual është përfshirë në shtatë shkolla të mesme të vendi.
Në fund, të dyja palët ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit parlamentar, si dhe bashkëpunimin në të gjitha nivelet e tjera.