Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot realizoi takim me nënkryetarin e Qeverisë së Italisë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Në takim ishin të pranishëm edhe deputetë nga Kuvendi i RMV, anëtarë të Grupit të Deputetëve për Bashkëpunim me Parlamentin e Italisë.
Gashi, siç njoftoi pres shërbimi i Kuvendit, falënderoi Tajanin për mbështetjen e konsiderueshme nga Italia në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se dy vendet kanë shënuar 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë tradicionalisht të mira dhe miqësore, me dialog aktiv politik dhe bashkëpunim dinamik sektorial.
Ndërkaq, Tajani shprehu mbështetje të fortë nga Italia për anëtarësimin e plotë të vendit tonë, si dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, në Bashkimin Evropian, pasi të gjithë kapitujt janë mbyllur. Ai theksoi se pret që ky proces të përfundojë sa më shpejt, duke theksuar rolin e rëndësishëm të parlamenteve.
“Ju si parlamentarë mund të filloni shumë iniciativa dhe të shfrytëzoni pozicionin tuaj që zëri juaj të dëgjohet në parlamentet e tjera ndërkombëtare dhe mbi të gjitha në Parlamentin Evropian, ku çështja e zgjerimit trajtohet me rëndësi të veçantë, si dhe integrimin e vendeve të rajonit”, tha Tajani.
Gashi theksoi se Maqedonia e Veriut dhe rajoni në tërësi gjeografike i takon Evropës dhe se shpreson që shumë shpejt dhe në mënyrë politike të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Megjithatë, kryetari i Kuvendit theksoi se Maqedonia e Veriut, në rrugën drejt arritjes së qëllimeve të saja strategjike, tregoi kapacitet të madh për dialog dhe kompromise, që duhet të jetë shembull për aspirantët e tjerë për anëtarësim, si të tejkalohen çështjet e hapura dhe si të ndërtojmë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore.