Në konferencën e organizuar nga organizata joqeveritare Solucia, ambasadori i BE-së në vend, David Geer, tha se është thelbësore të gjendet mënyra që mjekët e rinj të qëndrojnë në vend, transmeton Portalb.

Ai theksoi se Maqedonia ka mjekë me profesionalizëm të lartë, të cilët duhet të gjejnë punësim të përshtatshëm. Geer theksoi se kriteri i vetëm për punësim duhet të jetë njohuritë dhe jo faktorë të tjerë. Kjo është thelbësore për ruajtjen e talenteve dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor cilësor për të gjithë qytetarët.

Ndryshe në panelin e djeshëm të organizuar nga Forca Qytetare “Zamisli” u dha mesazhi për heqjen e duarve të partisë nga shëndetësia dhe përfundimisht vendosja e një sistemi meritash në punësimin spitalor.

Shëndetësia publike është në prag të kolapsit, mjekët e rinj dhe cilësorë po largohen masivisht jashtë vendit, theksuan pjesëmarrësit e debatit.

“Mjekët dhe mësuesit nuk duhet të varen nga partitë se kush do të fitojë zgjedhjet. Njerëzit do të hyjnë në spitale, nuk do të dalin të gjallë. Fëmijët do të hyjnë në shkollë, do të dalin pa dije. Pikërisht për këtë po inicojmë një debat më të gjerë social dhe presim mbështetje nga vetë mjekët dhe pjesa tjetër e stafit shëndetësor për të ndryshuar diçka realisht. Fillimisht, le të jetë ndryshimi i ligjit që u jep drejtorëve të klinikave të drejtën diskrecionale kur vendosin për punësime” , tha Nikolla Dimitrov, kryetar i “Solucia” në fjalën e tij përshëndetëse në këtë manifestim.

Ai shtoi se “Zamisli” në periudhën në vijim, së bashku me organizatat esnafe dhe palët e tjera të interesit, do të punojnë për zgjidhjen për tejkalimin e këtyre defekteve në shëndetësi.

Kujtojmë se mbi 400 specializantë privatë nga Qendra Klinike “Nënë Tereza” në Shkup në prillë hynë në grevë të përgjithshme. Specializantët privatë janë të revoltuar për shkak se nuk kanë sigurim pensional dhe shëndetësor dhe kërkojnë rritje të kompensimit mujor, i cili tani arrin në 26.000 denarë dhe të jetë në nivelin e pagës mesatare të mjekut në një institucion publik shëndetësor. Ata kërkojnë dhe zgjidhjen e statusit të tyre si persona të papunë. Nga ana tjetër, vazhdon të mbetet shqetësues eksodi i personelit mjekësor nga RMV. 20 vjet më parë kishim 18.000 mjekë, tani kemi 6.000.

Edhe pse në gjithë botën mjekët e rijnë përkrahen dhe motivohen që të ecin në rrugën e tyre profesionale në Maqedoninë e Veriut ndodh e kundërta. Është me rëndësi të theksohet se në vendin tonë specializantët ndahen në privatë dhe shtetëror. Mjekët specializantë privat përveç se paguajnë vetëm për specializimin e tyre dallimi ndodh edhe në përcaktimin e pagesës mujore për këto dy kategori mjekësh të rijnë të cilët në fund të ditës i kryejnë detyrat dhe obligimet e njëjta.