Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Gzim Kadriu, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj partnerëve të koalicionit VLEN, duke i akuzuar ata për largim nga parimet dhe kauzat fillestare të përbashkëta.
Në një status të gjatë, Kadriu shpreh zhgënjimin e thellë për, siç thotë ai, “harresën e shpejtë” të zotimeve dhe dëmtimin e përfaqësimit të shqiptarëve në qeveri.
“Jo, nuk është gabim të besosh në një kauzë – përkundrazi, është vlerë! Por partnerët tanë e harruan këtë shumë shpejt,” thekson Kadriu, duke shtuar se ASH-ja me Arben Taravarin ishin promotorët e rotacionit politik pas 22 vitesh, ndërsa tani ndihen të anashkaluar dhe të tradhtuar nga pjesa tjetër e koalicionit.
Ai rendit një sërë pikash ku, sipas tij, partnerët kanë dështuar: mungesa e guximit për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale, dështimi në realizimin e platformës politike, përçarje gjatë ndarjes së komunave për zgjedhjet lokale, dhe përpjekje për margjinalizimin e ASH-së brenda koalicionit.
Kadriu gjithashtu përmend performancën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, veçanërisht gjatë menaxhimit të tragjedisë në Koçan, si një nga të vetmet pika të ndritshme të kësaj qeverie – ndërkohë që akuzon partnerët për përhapje të lajmeve të rreme për të dëmtuar imazhin e tij.
Në fund, Kadriu paralajmëron se VLEN po kthehet në një parti të vetme, gjë që sipas tij po bëhet fshehurazi dhe jashtë dakordimeve të mëparshme me ASH-në.
“Gjithçka që fillon me manipulime, ashtu edhe përfundon,” përfundon ai, duke shprehur shqetësimin se ky zhvillim mund të sjellë ndarje të reja në skenën politike shqiptare