Shkruan: Albrim HOXHA, shef i shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN dhe anëtar i kryesisë së ASH-Strugë

Nivel më të ulët të atij gjysmë eventi mbrëmë, nuk ka pasur kurrë në skenën politike, sidomos në Strugë!

Gjithë ato aktivistë të malltretuar, tē larguar dhunshëm nga puna, të përndjekur, të kërcënuar, të sulmuar – u harruan për interesa të ngushta personale të shumë pak njerëzve!

Si ka mundësi, me aq krenari të qëndrojnë e përqafohen me Musa Xhaferin?! Çfarë shembulli iu japin struganëve e krejt shqiptarëve?!

Ç’lidhje ka Musa Xhaferi me interesin kombëtar?! Çfarë vlere evropiane përfaqëson ky njeri?!

Edhe pse nuk e përshëndeti askush mbrëmë, Ramiz Merkon e kishit aty! A e dini se sa mund, sakrificë, djersë e çka mos, kanë dhënë aktivistët e vërtetë opozitarë, qindra, mijëra mërgimtarë struganë, për ju dhe kundër tij?! Si do e arsyetoni gjithë atë investim të diasporës strugane tani që jeni bërë gjithë bashkë?!

Gjithë ajo sakrificë e mërgimtarëve të tradhtohet aq ulët – nuk di a ka fjalë për ta shprehur zhgënjimin!

A do i kërkoni falje Ramizit apo struganëve që i keni futur në sherre për shkak të “luftës” suaj kundër tij?!

A e dini se sa struganë janë hidhëruar, janë sharë, janë grindur, janë zënë mes veti për shkak jush?! Shumë prej tyre ende edhe sot nuk flasin ndërmjet.
Vëllai – vëllait nuk i ka shkuar as në dasmë.
Miku – mikut nuk ia ka parë derën e shtëpisë me vite. Krejt kjo shkaku besimit tek ju.

Si e arsyetoni sot këtë?!