Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka njoftuar organet kompetente në Mal të Zi se ka marrë informacion se ndaj tij po përgatitet një atentat, raportojnë sot mediat e Podgoricës.
Nga Administrata e Policisë së Malit të Zi, mbrëmë vonë, thanë për “Vijesti” se autoritetet policore nuk kanë të dhëna që do të tregonin për aktivitete të planifikuara që kanë për qëllim rrezikimin e sigurisë së ish-presidentit Milo Gjukanoviq.
Një burim i afërt me Gjukanoviç tha se një zyrtar i lartë ushtarak i huaj në detyrë në Kosovë e paralajmëroi atë se “një grup i krimit të organizuar nga një vend fqinj dyshohet se po planifikon të kryejë një atentat në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së një vendi tjetër fqinj”.
Nga zyra e Gjukanoviqit, i pyetur nëse dikush nga sektori i sigurisë e ka njoftuar se i është kërcënuar siguria, kanë thënë për “Vijesti” se informacionet e mësipërme i ka marrë nga përfaqësues të caktuar ndërkombëtarë të komunitetit të inteligjencës dhe se për këtë i ka njoftuar autoritetet shtetërore.