Balancuesi është mekanizëm i krijuar i cili zanafillën e ka te Marrëveshja e Ohrit, ndërkaq qëllimi i tij është që të ekuilibrojë përfaqësimin e komuniteteve etnike në administratën publike të Maqedonisë së Veriut.
Lënda para kushtetueses u formua pas dorëzimit të nismës nga ish kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, në janar të këtij viti. Më të njëjtën, kontestohet kushtetutshmëria e dispozitave ligjore që kanë të bëjnë me kushtin për mbajtje llogari për përkatësinë etnike gjate konkurseve publike dhe punësimeve në administratë.
Sipas Antikorrupsionit, dispozitat ligjore, në bazë të cilave funksionon balancuesi kanë shkaktuar mbipopullim të institucioneve dhe administratës. Veç kësaj, i njëjti po keqpërdoret apo manipulohet nga qytetarët të cilët, vetëm për t’u punësuar e deklarojnë rrejshëm përkatësinë e tyre etnike, varësisht prej kërkesës së konkursit.
Në linjë të ngjashme është edhe VMRO-DPMNE-ja, e cila kishte premtuar në fushatë dhe më pas e kishte vendosur në program qeveritar shfuqizimin e balancuesit, duke nënvizuar se përkatësia etnike nuk do të jetë më kriteri numër një për punësim. Sipas tyre, gjatë punësimit fillimisht do të respektohen cilësitë personale, profesionaliteti, kompetenca dhe sistemi i meritokracisë.
Sfera tjetër e ambientit politik janë shqiptarët, të cilët këmbëngulin në krijimin e garancive që heqja e balancuesit të mos jetë mundësi e krijuar për shkeljen e kategorisë kushtetuese për përfaqësim të drejtë të komuniteteve. Zgjidhja, sipas koalicionit në pushtet VLEN është që instrumenti të zëvendësohet me një ligj, i cili do të parandalonte diskriminimin etnik gjatë punësimeve dhe me këtë, do të shmangej rikthimi i kohës së para vitit 2001 kur përqindja e shqiptarëve në shtet ishte në numra pas presjes dhjetore.
Disponimi i gjykatësve kushtetues për çështjen e balancuesit është miniaturë e disponimit politik të partive maqedonase dhe shqiptare. Gjyqtarët maqedonas janë në linjë me partitë maqedonase, ashtu siç gjyqtarët shqiptarë me partitë shqiptare. /Alsat.mk