Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër me të cilin e obligon kryeministrin Albin Kurtin që të paraqitet më Prokurorinë Speciale në cilësinë e dëshmitarit për çështjen e rezervave shtetërore.

Urdhri për tu paraqitur në prokurori si dëshmitar vjen në ditën kur Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se i është drejtuar përmes një letre Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, brenda zyrës së tij në Qeveri.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gash, ka konfirmuar se gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhrin për dëshmi duke u bazuar në kërkesën e Prokurorisë Speciale.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K., që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 28.02.2025, përmes emalit ka pranuar përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit, lidhur me Urdhrin e lartë-theksuar të gjykatës”, ka thënë Gashi.

Më 19 shkurt, Gjykata Themelore konfirmoi se Prokuroria Speciale i ka kërkuar asajqë ta urdhërojë kryeministrin Kurti që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.

Në letrën dërguar Gjykatës, Kryeministria përsëriti qëndrimin e shprehur më parë se Kurti nuk i ka refuzuar kërkesat për të dhënë dëshmi, por ai ka kërkuar që dëshminë ta japë në ambientet e Qeverisë.

“Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në letër.

Kryeministria pretendoi se ekzistojnë praktika kur zyrtarë të lartë janë intervistuar në ambientet e tyre të punës dhe kjo mund të përsëritet.

Në letrën drejtuar Gjykatës, Zyra e Kurtit po ashtu hodhi dyshime edhe mbi natyrën e ftesës.

“Ka dyshime të forta që kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit. Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar”, u tha në letër, ku u kërkua që Gjykata të shqyrtojë çdo detaj lidhur me këtë ftesë.

Në dhjetorin e vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte ftuar Kurtin të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Kurti kishte refuzuar të paraqitej në Prokurori, duke u bërë thirrje prokurorëve që të shkojnë ata dhe ta intervistojnë në zyrën e tij, në Kryeministri.

Ftesën e parë Kurti e kishte marrë më 16 dhjetor, kur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte thënë se Kurti nuk ishte paraqitur pasi që ishte në udhëtim jashtë vendit dhe kishte shtuar se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”.

Katër ditë më vonë, Kurti kishte marrë sërish ftesë nga Prokuroria, të cilës prapë nuk i ishte përgjigjur pozitivisht.

Por, ftesa e Kurtit që të intervsitohet në zyrën e tij është kritikuar nga ekspertë ligjorë. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se “nëse prokurorët nuk kanë guxim profesional”, atëherë jo vetëm kryeministri, por edhe qytetarët e zakonshëm “mund të tallen dhe të mos e respektojnë autoritetin e Prokurorisë”.

Ndryshe, në Kodin e Procedurës Penale thuhet se një gjyqtar, sipas detyrës zyrtare, apo me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet.

Nëse pas urdhrit gjyqësor, i ftuari nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.

“Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë,

Në vitin 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.