Reagon në facebook Nikolla Gruevska ndaj deklaratës së ministrit të Drejtësisë Igor Filkovit, lidhur me mbledhjen e informacioneve nga gjykatat dhe mundësinë e nisjes së procedurës për ekstradimin e tij. Në këtë reagim, paraqet qëndrimin e tij se proceset gjyqësore kundër tij kanë qenë të motivuara politikisht dhe të montuara nga pushteti i mëparshëm.
Statusi i plot në facebook:
Sot dëgjova deklaratën e ministrit të Drejtësisë të Maqedonisë, i cili u shpjegonte mediave dhe publikut se si me përkushtim kishte mbledhur informacione nga gjykatat dhe se si kishte pritur pushtetin e ri në Hungari për t’u informuar për ndryshimin e statusit tim atje dhe për të nisur procedurë për ekstradim.
E shikoj dhe pyes veten: kush është në pushtet në Maqedoni?! Duke e parë nga jashtë, aspak nuk duket se LSDM-ja e kriminelit Zaev, me urrejtjen dhe metodat e tij të pista, është larguar nga pushteti.
I propozoj ministrit që me të njëjtin përkushtim t’i hetojë keqpërdorimet dhe veprimet e paligjshme gjatë përndjekjes politike në vitet e Zaevit, proceset e montuara gjyqësore dhe padrejtësitë që u bënë për t’ia lehtësuar atij sundimin.
I propozoj të mbledhë informacione se si nga kabineti i Zaevit dërgoheshin lista se kush duhej të ndiqej penalisht për t’u paraqitur si kriminel dhe për t’u larguar nga politika, e kush duhej të shantazhohej dhe të dëshmonte rrejshëm kundër të tjerëve.
Të mbledhë informacione për një numër të madh dëshmitarësh ose të akuzuarish, të cilët me shantazhe dhe kërcënime të ndryshme të palejuara e të paligjshme u detyruan të jepnin deklarata dhe dëshmi të rreme.
Të mbledhë informacione nga avokatët e të akuzuarve për atë me çfarë janë përballur ata; disa prej tyre, për shkak të presioneve dhe kërcënimeve të rënda, u detyruan të tërhiqeshin nga roli i mbrojtësit, disa të tjerë u heshtën, ndërsa të tretët nuk mund ta besonin se çfarë po ndodhte në sallat e gjyqit.
T’i lexojë aktakuzat, të ashtuquajturat “prova”, t’i lexojë aktgjykimet dhe të shohë se sa prej tyre janë sjellë mbi supozime të rreme, për shkak të presionit që atë kohë e kishin gjyqtarët nga aparati i Zaevit dhe PSP-ja, për të cilat tashmë çdo ditë dalin dëshmi në media, ndërsa ministri sillet sikur nuk i ka parë.
Të shohë se çfarë aktgjykimesh janë sjellë për blerjen e një automjeti të blinduar, ku jam akuzuar se paskam qenë fajtor sepse paskam ndikuar të blihej, me qëllim që të përfitoja, ndërsa përfitimi paskësh qenë se disa herë jam transportuar me atë veturë.
Të shohë se si paskam blerë parcela, kur askujt nuk i kam dhënë para, as nuk i kam kërkuar dikujt ta bëjë këtë në emrin tim, e as kompania që i ka blerë ato nuk ka ndonjë lidhje me mua.
Të shohë se si paskam blerë dy banesa, kur pronari kishte nënshkruar kontratë me mua për të m’i dhënë me qira, ndërsa drejtori i tij, i cili gjoja i kishte blerë për mua, thotë se i ka paguar me paratë e veta, se kurrë nuk ka marrë para nga unë dhe se kurrë nuk i kam kërkuar asgjë në jetë, madje as nuk e kemi hapur temën e banesave, edhe pse jemi takuar zyrtarisht.
Të lexojë se si më kanë dënuar për dhunë për disa shuplaka të supozuara, të cilat askush kurrë nuk ia ka dhënë askujt, pas dëshmisë “kryesore” të të gjithë këshilltarëve të LSDM-së në Komunën Qendër, ku argumenti i tyre kryesor ishte se e kishin ndier “frymën time” në protestat para barakave të komunës; dhe si gjyqtari refuzoi t’i dëgjonte të gjithë dëshmitarët e propozuar nga unë, gjithsej tre në numër.
Të shohë se si gjykohet një ish-kryeministër sepse paskësh dashur që autostrada Kërçovë–Ohër të përfundonte më herët, para zgjedhjeve të ardhshme, sepse me këtë paskësh dashur të fitonte më shumë pikë te votuesit.
Të krahasojë se si janë financuar të gjitha partitë dhe të krahasojë nëse ka pasur ndonjë dallim në financimin e VMRO-DPMNE-së.
Në mënyrë të qetë dhe diskrete le t’i pyesë gjyqtarët që t’i tregojnë se si vinin porositë për aktgjykime nga kabineti i kryeministrit të atëhershëm dhe çfarë i priste nëse vendosnin ndryshe, gjë që u demonstrua përmes shkarkimit të gjyqtarit në lëndën për rrugët, i cili, sapo veproi sipas ligjit, u shkarkua nga detyra si mesazh për të gjithë të tjerët.
Dhe të mos çuditet kur ministra të huaj, kryeministra apo gazetarë më quajnë kriminel. Njerëzit ndoshta as në fantazinë më të çmendur nuk mund ta imagjinojnë pse dhe si jam dënuar, prandaj edhe më quajnë kriminel.
Ata nuk janë të njohur, dhe as nuk janë të detyruar të jenë të njohur, me detajet e lëndëve gjyqësore dhe me faktin se ka pasur një përndjekje reale, të pistë dhe të montuar me motive politike. Por ministri i Drejtësisë i Maqedonisë mund të njihet me këto detaje dhe t’i informojë ata kur komunikon me ta.
Ata politikanë të huaj, kryeministra, ministra, gazetarë e të ngjashëm, e dinë se ekzistojnë aktgjykime dhe vetëm kanë ndjekur retorikën që për vite me radhë e kishte pushteti i mëparshëm i udhëhequr nga LSDM-ja. Ata nuk janë të detyruar të studiojnë lëndë gjyqësore, veçanërisht jo kur as pushteti i ri, përkatësisht ministri aktual, nuk përpiqet t’i studiojë dhe të shpjegojë se në çfarë rrethanash, me çfarë fushate politike, me çfarë padrejtësish dhe paligjshmërish pushteti i atëhershëm u përball me kundërshtarët politikë, në muajt kur përgatitej ndryshimi i Kushtetutës për shkak të ndryshimit të emrit kushtetues dhe kur u pranua me marrëveshje të veçantë që nga komisioni historik me fqinjin lindor të varej nëse dhe kur Maqedonia do të bëhej anëtare e BE-së.
Duhet parë drejt në sy e vërteta historike e ngjarjeve në Maqedoni gjatë asaj periudhe, nëse ministri dëshiron të ketë qasje profesionale dhe të distancohet nga veprat e liga dhe krimet e kryeministrit të atëhershëm Zaev, i cili sot, i lirë si pallua, shëtit nëpër Maqedoni.
Nëse nuk dëshiron të lexojë, ka edhe çfarë të shohë. Le t’i shikojë intervistat e ish-prokurores së PSP-së, Lejla Kadriu, e cila rrëfen se si PSP-ja ishte si shtab i LSDM-së dhe se si i kishte hasur Zaevin dhe Sheqerinskën atje.
Le të dëgjojë se si njëri nga prokurorët dilte nga takimet për të pyetur në LSDM se si duhej të vepronin për lëndët, para se t’i njoftonte prokurorët e tjerë se cili duhej të ishte mendimi i tyre; ose le ta shikojë intervistën me anëtarin e Gjykatës Supreme, Risto Katavenovski, i shkarkuar nga detyra e gjyqtarit sepse kishte refuzuar të zbatonte urdhrin për konfirmimin e lëndës “Tank”, për të cilën kishte pasur porosi nga kryeministri.
Një ditë, e gjithë kjo do të arrijë edhe deri te BE-ja. Ajo paradë e sistemit gjyqësor të Maqedonisë do të shihet nga këndi i vërtetë.
Nëse ministri nuk dëshiron të bëhet pjesë e një loje të madhe dhe të pistë nga e kaluara, duke mbledhur lëndët nga gjykata për mua, pavarësisht se atëherë ka qenë anëtar i LSDM-së, le të përpiqet dhe le t’i kontrollojë edhe këto gjëra. Pastaj le të veprojë ashtu siç është e drejtë, i udhëhequr nga ndërgjegjja e tij dhe nga ligjet.

