8 C
Tetovo
E martë, 6 Maj, 2025
BallinaKulturëHapet në Tetovë ekspozita personale “Kontrast” e artistit Nikollë Nikprelaj

Hapet në Tetovë ekspozita personale “Kontrast” e artistit Nikollë Nikprelaj

Mbrëmë, në hapësirat ekspozuese të I.N. –Galeria e Arteve në Tetovë, u hap ekspozita personale “Kontrast” e këngëtarit dhe piktorit të njohur Nikollë Nikprelaj.

Kjo ekspozitë solli një frymë të re artistike, duke bashkuar me mjeshtëri ngjyrat, emocionet dhe mesazhet e fuqishme që prekin thellë shpirtin e shikuesit. Pikturat, njësoj si këngët që e kanë bërë të njohur artistin ndër vite, flasin përmes kontrasteve të jetës – dritë dhe hije, gëzim dhe mall, rrënjë dhe horizonte të reja.

Ekspozita përfshin 30 vepra të realizuara me teknikën e akrilikut në pëlhurë, të cilat paraqesin një rrëfim të thellë mbi identitetin, trashëgiminë kulturore dhe emocionet njerëzore. Përmes këtij prezantimi, Nikprelaj shpalos vizionin e tij mbi kontrastet që e formësojnë jetën dhe dëshmon se arti është një gjuhë universale që na lidh dhe na pasuron shpirtërisht.

U.D. Drejtoresha Galerisë së Arteve Tetovë, znj. Arbenita Meta, falënderoi artistin për bashkëpunimin dhe theksoi se ishte nder për institucionin të mirëpriste këtë ekspozitë të nivelit të lartë. Ajo nënvizoi se kjo ngjarje është pjesë e planprogramit vjetor të Galerisë dhe realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“30 veprat që sot zbukurojnë Galerinë eksplorojnë kontrastet që formësojnë qenien njerëzore: dritën dhe hijen, qetësinë dhe trazimin, traditën dhe bashkëkohësinë,” tha znj. Meta, duke falënderuar edhe personalitetet e shumta që morën pjesë në ngjarje.

Në mesin e të pranishmëve ishin: Zëvendësministrja e Mbrojtjes, znj. Elfete Ismaili, Rektori i Universitetit të Tetovës, z. Jusuf Zejneli, deputetja znj. Mimoza Musa, Drejtori i Ansamblit Muzikor të RMV-së në Tetovë, z. Blerim Qamili, Dekani i Fakultetit të Arteve, z. Senad Abduli, si dhe emra të shquar të skenës muzikore si tenori Kastriot Tusha dhe këngëtari Mahmut Ferati.

Kuratorja e ekspozitës, znj. Besa Dauti, theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite për qytetin e Tetovës dhe u shpreh se përmes këtij aktiviteti artistik, muzika dhe piktura bashkohen në një dialog të ri që pasuron jetën kulturore të vendit.

Ekspozita “Kontrast” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 16 maj 2025.

spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments