Bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë mirëkuptim ndaj qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, në raport me Listën Serbe, thotë ish-deputetja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu.
Dy ditë pasi Ambasada e SHBA-së në Kosovë reagoi karshi LVV-së për shkak të moscertifikimit të Listës Serbe nga KQZ-ja, Haxhiu deklaron se në asnjë vend demokratik nuk do të ishte normale që një subjekt i tillë si Lista Serbe, që kryetar e ka kryeterroristin Milan Radoiçiq, të garonte në zgjedhje parlamentare.
KQZ nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Mirëpo pas ankesës së Listës Serbe, PZAP vendosi të premten në favor duke e certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Mendoj se pikërisht duke u përpjekur me çdo kusht që Lista Serbe të konsiderohet si një subjekt demokratik dhe normal në Kosovë mendoj se po e mbysin pluralizimin brenda vet subjekteve të tjera që e përfaqësojnë komunitetin serb… Ne kemi pritur që qëndrimet tona të kenë mirëkuptim por megjithatë kjo nuk nënkupton që ne nuk duam të mbrojmë pozicionin tonë… Nuk e shoh se ka ndonjë kosto. Ne mundohemi t’i fuqizojmë raportet tona. Qëndrimet ndryshe janë normale në një vend si Kosova, pasi asnjë veprim nuk e kemi bërë në mënyrë tinëzare”, thekson ajo.
Sipas Haxhiut, për certifikimin e Listës Serbe ka pasur presion në PZAP dhe në Gjykatën Supreme.
Në anën tjetër, Haxhiu kritikon ashpër kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, për komentet e tij karshi grave të Lëvizjes Vetëvendosje. Madje ajo thotë se i njëjti “është bërë milioner duke qenë politikan”.
“Është e ditur që zoti Lushtaku vetëm duke qenë politikan është bërë milioner. Ne e kuptojmë plotësisht që një biznesmen mund të pasurohet dhe s’kemi asgjë kundër pasurimit të ligjshëm. Por kur politikani bëhet milioner vetëm duke qenë politikan kjo është problem serioz. Rasti i tillë është Sami Lushtaku. Gjuha e tij është gjuhë e papranueshme. Sami Lushtaku i sheh gratë, jo vetëm gratë e LVV-së, pasi mënyra sesi Sami Lushtaku flet kundrejt grave të LVV-së tregon sesi i sheh ai edhe gratë e PDK-së. Për këtë gjuhë nuk do të duhej të kishte heshtje totale nga gratë e PDK-së. Nëse ai neve na sheh, pasi është e rëndë gjuha që ka përdorur ndaj grave dhe tepër fyese. Nëse ai i sheh gratë si objekte që mund t’i kontrollojë, që i lidh dhe zgjidh kurdo ai. Por e ka gabim Sami Lushtaku nëse mendon se gratë e Vetëvendosjes ia kanë frikën”, përfundon ajo.
Ndërkaq, Haxhiu thotë se nuk do ta tërheqin Sami Kurteshin nga KQZ-ja pavarësisht kërkesës së AGK-së pas komenteve ofenduese të Kurteshit karshi mediave.
“Gjithçka kishte lindur te hapësira që është e rezervuar që mediat të qëndrojnë dhe ajo mos të shkelet.
Mendoj se me një komunikim të thjeshtë do të mund të anashkalohej situata e tillë nga të dy palët.
Kurteshi ka pasur një deklarim të tillë edhe para disa kohësh dhe për këtë është ftuar nga prokuroria që të jep dëshminë e tij. Me sa kam unë informacione, ai e ka dhënë dëshminë e tij dhe presim që prokuroria të thotë fjalën e saj. Nuk ka asnjë arsye që Lëvizja Vetëvendosje të tërheqë Kurteshin nga KQZ-ja. Është tepër e rëndësishme që mos të ketë situata të tilla pasi është e panevojshme”, tha Haxhiu.

