Në të gjitha shkollat në Holandë nga fillimi i kësaj jave ndalohet përdorimi i telefonave gjatë orës së mësimit. Ministria e Kulturës në Hagë vendimin e argumenton, se telefonat mobilë shpërqendrojnë nxënësit dhe kanë efekt negativ ndaj rezultateve në mësime.
Telefonat celularë do të lejohen të përdoren në klasë vetëm për qëllime mësimore, si p.sh. për aftësimin e kompetencës mediatike, ose kur nxënësit e kanë të nevojshme përdorimin e celularit për arsye shëndetësore ose për shkak të aftësive të kufizuara. Për zbatimin në praktikë të ndalesës janë përgjegjëse shkollat.
Edhe ndalimi i përdorimit të celularit gjatë pushimit mes orëve të mësimit ka efekt pozitiv.
Në shkollat, ku telefonat ndalohen të përdoren edhe gjatë kohës së pushimit, është përmirësuar atmosfera, njoftoi radioja holandeze NOS.
“Koha e pushimit në këto shkolla ka nxitur frymën shoqërore, sepse nxënësit bisedojnë më shumë me njeri-tjetrin”, ka thënë studiuesi Loes Pouwels nga Universiteti Radboud në Nijmegen.
Lidhur me ndalimin e celularëve në shkolla në Holandë është diskutuar ashpër. Fillimisht shumë prindër u angazhuan që fëmijët e tyre të mos përdornin celularë në shkollat fillore, pikërisht sepse rrjetet sociale krijojnë varësi te fëmijët.
Si Holanda edhe Greqia e Italia i kanë ndaluar celularët në klasë, ndërsa në Gjermani prej kohësh po diskutohet për një hap të tillë. Organizata OECD bazuar në një studim së fundi këshilloi që celularët të përdoren me përgjegjshmëri në orët e mësimit. /DW