Politologu Xhenur Iseni përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka komentuar një vjetorin e vendimit të kryetarit të ASH-së, Arben Taravarit për tu bashkuar me opozitën e atëhershme. Sipas tij, nëse Taravari kish marr vendim për tu bashkuar me BDI-në, këto të fundit do ti kishin thurur elozhe, ndërsa tani e kritikojnë.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Isenit:
“Sot qenka bërë një vit nga statusi i famshëm i Taravarit.
Reagimi BDI-së ndaj vendimit të Arben Taravarit për t’iu bashkuar opozitës para një viti dhe tani për ta kritikuar atë si një gabim strategjik, ngre një pikëpyetje të rëndësishme: A është kjo kritikë një qëndrim parimor apo thjesht një qëndrim i diktuar nga interesi politik?
Nëse Taravari, në vend të bashkëpunimit me opozitën, do të kishte vendosur të hynte në zgjedhje me BDI-në, a do të ishte atëherë ky vendim i lavdëruar nga e njëjta parti që tani e kritikon? Me gjasë, BDI do ta paraqiste atë si një vendim të mençur, një akt bashkimi për të mirën e shqiptarëve dhe një lëvizje strategjike për stabilitet politik. Kjo tregon se nuk është vetë vendimi që shqyrtohet nga prizmi i interesit kombëtar, por më shumë fakti nëse ai vendim është në favor apo në dëm të interesave të BDI-së.
Ky lloj reagimi është i zakonshëm në politikën shqiptare ku çdo vendim shihet si i drejtë ose i gabuar në varësi të përfitimeve partiake, jo në bazë të një analize objektive apo parimore. Kjo qasje forcon perceptimin e politikës si një fushë ku mbizotëron interesi i ngushtë dhe jo debatet e sinqerta për të mirën e përgjithshme.
Në këtë rast, del qartë se BDI nuk është duke kritikuar vetë vendimin e Taravarit në parim, por vetëm sepse ai nuk përputhet me interesat e saj. Nëse vendimi do të ishte në favor të tyre, ai do të interpretohej si një akt vizionar. Kjo qasje nënvizon një problem më të madh në skenën politike shqiptare: mungesën e konsistencës dhe përdorimin e standardeve të dyfishta për të vlerësuar kundërshtarët politikë”, ka përfunduar Iseni.