“Ju siguroj se ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të mundësuar rritjen graduale të pagave dhe deri në fund të mandatit do të nënshkruajmë edhe marrëveshje të re kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm”, ka deklaruar ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska. Ajo ka informuar se tashmë me Sindikatat e Pavarura për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka diskutuar për mundësitë për avancimin e statusit të mësimdhënësve dhe sigurimin e pagave më të larta.
Janevska po ashtu theksoi se MASH aktualisht është duke u konsultuar me mësimdhënësit nëse do të kenë vetëm ditar elektronik apo do ta kthejnë ditarin në letër nga viti i ardhshëm shkollor.
„Para disa ditësh ka përfunduar projekti për përgatitjen e ditarit të ri elektronik dhe tashmë është në dispozicion të MASH-it. Kuptova që ka mbrojtje të mirë, që të mos fshihen notat dhe mungesat. Por ne jemi duke bërë anketë mes mësimdhënësve , duan vetëm ditar elektronik apo ditar në letër. Ne do të veprojmë ashtu siç deklarojnë ata, por mendimi im është se ende duhet të ketë formë të shkurtuar, të shtypur të ditarit për shënime”, tha Janevska.