Juventusi ka rikthyer interesimin për mbrojtësin e Arsenalit, Jakub Kiwior, pas tentimeve të tyre të dështuara për të nënshkruar me Jean-Clair Todibo, pasi ky i fundit zgjodhi West Hamin.

Klubi italian po kërkon një mbrojtës që luan me këmbën e majtë, kërkesë specifike kjo nga trajneri Thiago Motta, teksa ‘Zonja e Vjetër’ po synon që ta përforcojë fazën defanzive para sezonit të ri.

Kiwior, i cili u transferua tek Arsenali nga Spezia në janar të vitit të kaluar për 17 milionë euro, ishte një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së ‘Topçinjve’ sezonin i kaluar, duke i ndihmuar ata të pësojnë vetëm 29 gola.

Përkundër paraqitjeve të tij të mira, vendi i Kiwior tek Arsenalit është nën rrezik për shkak të transferimit të Riccardo Calafiorit, gjë që ka shtyrë Juventusin të studiojë mundësinë e transferimit të 24-vjeçarit.

Sidoqoftë, nuk është vetëm Juventusi në garë për shërbimet e reprezentuesit polak, pasi edhe Interi së bashku me Napolin dhe Bolognan kanë shprehur interesim për të.

Megjithatë, Juventusi duket se ka një avantazh ndaj ekipeve tjera për shkak të njohjes së Mottas me Kiwior prej kohës kur kanë punuar së bashku tek Spezia.

Sipas raportimeve nga Calciomercato, Juventusi tashmë ka kërkuar informacion për Kiwior, ndërsa thuhet se Arsenali do ta lejonte largimin e tij për 30 milionë euro./Telegrafi/